Policia Financiare e RMV-së ngriti kallëzim penal ndaj dy personave për shmangie tatimore mbi 7.4 milionë denarë

Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër personave M.Sh. dhe Zh.R., në cilësinë e drejtuesve të një personi juridik, si dhe kundër vetë personit juridik, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimore” sipas nenit 279 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Të denoncuarit M.Sh. dhe Zh.R., në cilësinë e drejtuesve të personit juridik, në periudha të ndryshme, me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar për të përfituar dobi pasurore të kundërligjshme për veten dhe për personin juridik, me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve tatimore sipas ligjit, në Drejtorinë e të Ardhurave Publike për vitin 2020 kanë dorëzuar bilanc tatimor për përcaktimin e tatimit mbi fitimin me të dhëna të rreme, ndërsa për vitet 2021 dhe 2022 nuk kanë dorëzuar fare bilance tatimore për përcaktimin e tatimit mbi fitimin.

“Veprimet e tyre kanë qenë në kundërshtim me evidencën kontabël dhe rezultatin financiar të paraqitur në bilancet bruto të shoqërisë. Nga llogaritë bankare të personit juridik janë tërhequr mjete financiare mbi baza të ndryshme dhe janë kryer pagesa që nuk lidhen me veprimtarinë e personit juridik, pa ekzistuar dëshmi në evidencën kontabël për arsyetimin ekonomik të tyre. Për të fshehur aktivitetet inkriminuese, ata nuk kanë dorëzuar llogaritë përfundimtare për vitet 2022, 2023 dhe 2024 në Regjistrin Qendror të RMV-së”, thonë nga Policia Financiare.

Me këto veprime, të denoncuarit M.Sh. dhe Zh.R., me vetëdije dhe me qëllim përfitimi të kundërligjshëm për veten dhe për personin juridik, nuk kanë përllogaritur, raportuar dhe paguar Tatimin mbi Fitimin në vlerë totale prej 7.200.200 denarësh dhe Tatimin mbi të Ardhurat Personale në vlerë totale prej 226.123 denarësh, gjegjësisht nuk kanë paraqitur dhe shlyer detyrimet ligjore tatimore në shumë totale prej 7.426.323 denarësh, duke dëmtuar për këtë shumë Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button