Një tomograf është vënë në funksion në Radiologji, kontrollet do të kryhen edhe gjatë fundjavës

Njëri nga tomografët kompjuterik në Institutin Universitar të Radiologjisë në Shkup është rikthyer në funksion nga sot, ndërsa pacientët mund të caktojnë termine për ekzaminime diagnostikuese, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga Ministria bëjnë të ditur se tashmë ka filluar thirrja e organizuar e pacientëve, ekzaminimet e të cilëve ishin ricaktuar përkohësisht për shkak të situatës së krijuar. Qëllimi është që shërbimet shëndetësore të ofrohen në kohë dhe kontrollet e shtyra të realizohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Për të përshpejtuar procesin, në Institut është organizuar puna me dy ndërrime, ndërsa ekzaminime shtesë do të kryhen edhe gjatë fundjavës së ardhshme. Terminet do të realizohen në përputhje me kapacitetet në dispozicion dhe prioritetet e përcaktuara mjekësore.

Ndërkohë, servisimi i tomografit të dytë të kompjuterizuar, i cili ndodhet në kompleksin kirurgjik dhe është kryesisht i dedikuar për diagnostikimin e pacientëve urgjentë, është ende në zhvillim. Nga Ministria presin që procedura të përfundojë sa më shpejt.

Deri në vënien në funksion edhe të kësaj pajisjeje, pacientët urgjentë po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” dhe në Klinikën Kirurgjike “Shën Naum i Ohrit” në Shkup.

Nga Ministria theksojnë se kjo po realizohet në përputhje me koordinimin ndërinstitucional të vendosur, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve të domosdoshme diagnostikuese.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara lidhur me situatën, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së besimit te sistemi shëndetësor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button