Shefi i ushtrisë së RMV-së pritet në takim në Tiranë nga presidenti Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut, gjeneral major Sashko Llafçiski, i cili qëndron për një vizitë zyrtare 3-ditore në Shqipëri, transmeton Anadolu.
Siç njofton presidenca shqiptare, takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë mes dy vendeve fqinje, aleate në NATO, si dhe në rëndësinë e koordinimit rajonal përballë sfidave të sigurisë.
Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e Maqedonisë së Veriut në misionet e NATO-s.
“Në kushtet e dinamikave të reja gjeopolitike, presidenti theksoi domosdoshmërinë e rritjes së investimeve në siguri dhe mbrojtje, investimin për Korridorin VIII, i cili është i një rëndësie strategjike për rajonin dhe aleancën, si dhe shtimin e kontributeve në mbrojtjen kolektive”, tha presidenca.
Gjeneral major Llafçiski më herët është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji.



