Trump i lidh trazirat në Francë me migracionin, i bën thirrje Parisit të mbyllë kufijtë

- “Imigrantët e kanë marrë nën kontroll Francën. Ata duhet t’i mbyllin kufijtë, edhe atë shpejt”, ka deklaruar presidenti amerikan.

Presidenti amerikan, Donald Trump i lidhi të hënën trazirat e përhapura në Francë me politikat e imigracionit, duke u bërë thirrje autoriteteve franceze që të mbyllin menjëherë kufijtë e vendit, transmeton Anadolu.

“Imigrantët e kanë marrë nën kontroll Francën. Ata duhet t’i mbyllin kufijtë, edhe atë shpejt”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.

Deklarata pasoi komentet e së dielës, kur presidenti amerikan pretendoi se migracioni e ka “shkatërruar atë vend dikur të madh”, duke i bërë thirrje Parisit që të rimarrë kontrollin “para se të jetë tepër vonë”.

Protestat në gjithë Francën nisën në mesin e shtatorit, fillimisht si protesta të nxënësve dhe studentëve kundër mungesës së mësimdhënësve dhe financimit të pamjaftueshëm të shkollave, përpara se të shndërroheshin në greva mbarëkombëtare të sindikatave kundër inflacionit dhe kostos së lartë të jetesës.

Trazirat u përshkallëzuan gjatë fundjavës, kur disa ndërtesa u dogjën, përfshirë edhe bashkinë historike në Limoges. Sipas Ministrisë së Brendshme, gati 1.000 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë plagosur.

Më shumë se 2.330 persona janë shoqëruar në polici në gjithë Francën gjatë fundjavës, tha të hënën ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin.

Në një fjalim të dielën në mbrëmje, presidenti Emmanuel Macron e dënoi atë që e quajti “dhunë të pakontrolluar” nga “elementë kryengritës të grupeve radikale të së majtës ekstreme, të cilëve iu bashkuan shumë kriminelë”. Ai bëri dallimin mes përgjegjësve për dhunën dhe protestuesve me kërkesa legjitime.

Kryeministri Sebastien Lecornu tha të hënën se ka udhëzuar autoritetet rajonale të vendosin orë policore të kufizuara në zona të caktuara, me qëllim parandalimin e trazirave dhe plaçkitjeve të mëtejshme.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button