ITSHKSH përmbylli me sukses hulumtimin në zonën e Kumanovës

Shkup, 19 tetor – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ka përmbyllur me sukses pjesën e hulumtimit në terren të projektit “Mbledhja dhe hulumtimi i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të zonës së Kumanovës me rrethinë dhe krijimi i Platformës Elektronike të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në RMV”, të mbështetur financiarisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të RMV-së. Rezultatet dhe gjetjet shkencore të këtij projekti u prezantuan në tryezën shkencore “TRASHËGIMIA KULTURORE SHQIPTARE NË ZONËN E KUMANOVËS” që u organizua ditë më parë në hapësirat e ITSHKSH-së. Në përfundim të punimeve të tryezës shkencore, këshilltari shkencor Zeqiria Ibrahimi lexoi:

 

KONKLUZIONET

 

nga tryeza shkencore

 

“TRASHËGIMIA KULTURORE SHQIPTARE NË ZONËN E KUMANOVËS”

 

 

 

Më 15 tetor 2026 (e enjte), në sallën “Wilson” të ITSHKSH-së, si dhe në prani të një numri të madh studiuesish, por edhe mysafirësh, u organizua tryeza shkencore “Trashëgimia kulturore shqiptare në zonën e Kumanovës”.

 

Hapja e tryezës u bë në orën 11.00 me një fjalë përshëndetëse nga drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Prof. dr. Besnik Emini, i cili i përshëndeti pjesëmarrësit, i falënderoi për pjesëmarrjen dhe u dëshiroi punë të suksesshme. Mes tjerash, ai në fjalën e tij theksoi se kjo tryezë shkencore po organizohet pas projektit hulumutes shkencor në terren “Trashëgimia kulturore shqiptare në zonën e Kumanovës”, që është realizuar nga hulumtuesit e Institutit me mbështetje të Ministrisë së Arsimti dhe Shkencës. Për këtë arsye i falënderoi edhe mysafirët e ardhur ngë zona e fshatrave të Komunës së Likovës, që kanë qenë mbështetës të këtij projekti në terren.

 

Pas tij, fjalë përshëndetëse pati zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Driton Sulejmani, i cili e përshëndeti organizimin e tryezës dhe vuri në pah mbështetjen që MASH-i ka dhënë në realizimin e këtij projekti, duke premtuar se mbështetjet e këtilla nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

 

Në sesionin e hapjes fjalë përshëndetëse pati edhe Prof. dr. Sevdail Demiri – bartës i projektit, i cili foli për detajet e këtij projekti hulumtues, ndërsa kolegia Hidajete Azizi – koordinatore e projektit u ndal në punën e terrenit që është bërë gjatë këtij hulumtimi.

 

Pas sesionit të hapjes, vijoi sesioni i parë shkencor, që u drejtua nga profesorët Asllan Hamiti, Valbona Toska dhe Shejnaze Ajdini Murtezi. Në këtë sesion u lexuan gjithsej tetë kumtesa.

 

Kumtesën e para e kishte Prof. Asllan Hamiti me titull “Veçoritë fonetike-fonologjike të së folmes së Kumanovës”, në të cilën vuri në pah tiparet fonetike-fonologjike të kësaj të folmeje, një detyrë kjo që – si bashkëpunëtor i jashtëm i këtij projekti – ai e ka realizuar nga materiali i mbledhur në terren gjatë punës kërkimore.

 

Idaete Sinani e mbajti kumtesën me titull “Veçoritë morfologjike të së folmes së Kumanovës”, në të cilën referoi për tiparet morfologjike të kësaj të folmeje, por edhe duke vendosur kufirin mes të folmeve të gegërishtes qendrore me ato të gegërishtes verilindore, që bie pikërisht në këtë areal gjuhësor.

 

Hulumtuesja e Institutit Shejnaze Ajdini Murtezi u paraqit me kumtesën “Në gjurmët e frazeologjisë së rajonit të Kumanovës: hulumtim, dokumentim dhe interpretim”, në të cilën solli risi në shprehjet frazeologjike shqipe të këtij rajoni, duke bërë shpjegime të thukëta shkencore për semantikën e tyre.

 

Kumtesa shkencore “Shprehjet frazeologjike të urimeve, mallkimeve dhe përshëndetjeve në rajonin e Likovës” u prezantua nga studiueset Valdeta Kasapi dhe Laura Papraniku. Nga materiali i vjelur në terren, ato kishin ndërtuar një korpus të rëndësishëm të shprehjeve frazeologjike që shprehin ekspresivitet në komunikim.

 

Studiuesja Hidajete Azizi referoi në temën “Terminologjia e farefisnisë në të folmet e zonës së Kumanovës”, me ç’rast i vuri në pah mënyrat e emërtimit të këtillë në këtë zonë, duke i theksuar edhe dallimet dhe ngjashmëritë me zonat e tjera të banuara me shqiptarë të këtij rajoni.

 

Zeqirija Ibrahimi dhe Isamedin Azizi u paraqitën me temën “Gjendja e toponimisë në fshatrat shqiptare të rajonit të Kumanovës”, në të cilën e prezantuan korpusin e mikrotoponimisë së kësaj zone, që është ndarë sipas fshatrave (gjithsej 30), që përbëjnë gjithsej 1972 mikrotoponime.

 

Studiuesja Teuta Agai Demjaha mori pjesë me kumtesën me titull “Gjuha e shëndetit dhe sëmundjes në Kumanovë: mes fjalës dhe heshtjes”, në të cilën i vuri në pah disa elemente gjuhësore që kanë të bëjnë me emërtimin e sëmundjeve në këtë zonë.

 

Sesioni i parë u mbyll me kumtesën e fushës së historisë, që u prezantua nga Sevdail Demiri dhe Ardian Ramadani me titull “Ngjarje dhe personalitete të anës së Kumanovës në kontekstin e historisë gojore”, në të cilën prezantuan ngjarje dhe personalitete të rëndësishme të historisë së kësaj zone.

 

Pas përmbylljes së këtij sesioni dhe një pauze të shkurtër, vazhdoi sesioni i dytë, të cilin e drejtuan profesorët Izaim Murtezani dhe Mustafa Ibrahimi. Në këtë sesion u prezantuan shtatë nga tetë kumtesat e paraqitura.

 

Në mungesë të kumtuesit të parë, prof. Nebi Dervishi, i pari në këtë sesion u paraqit Prof. Izaim Murtezani, po ashtu bashkëpunëtor i jashtëm i këtij projekti. Ai e prezantoi kumtesën “Nata e gjerdekut në dasmën tradicionale shqiptare të trevës së Kumanovës: antropologjia e liminalitetit në një ritual të kalimit”, në të cilin foli për kuptimin tradicional të natës së gjerdekut në dasmën tradicionale shqiptare, duke i vënë në pah besimet popullore mbi këtë rit.

 

Studiuesja Bukurie Mustafa u prezantua me temën “Llojet e martesave dhe pangjyri në fshatrat e Kumanovës (trajtesë analitike e hulumtimit në fshatrat e Kumanovës)”, në të cilën prezantoi risi të llojeve të martesave në fshatrat e Kumanovës, po ashtu nga materiali i vjelur në terren.

 

Hulumtuesi Rini Useini e prezantoi punimin “Ritet e kalendarit popullor në rajonin e Kumanovës”, një kumtesë e punuar nga materialet e terrenit, në të cilin i kishte marrë në shqyrtim ritet dhe besimet popullore të shqiptarëve të rajonit Kumanovës.

 

Agron Salihi referoi në temën “Lëvizjet demografike në disa fshatra të Komunës së Likovës (Goshincë, Llojan, Orizare)”, në të cilën prezantoi të dhëna statistikore për lëvizjet demografike të këtyre fshatrave në periudha të ndryshme historike.

 

“Trashëgimia arkeologjike në Komunën e Likovës” ishte tema në të cilën u prezantua studiuesi i arkeologjisë Sali Islami. Ai foli për disa lokalitete arkeologjike të kësaj zone dhe vuri në pah rëndësinë e studimit të tyre për ta dëshmuar kontinuitetin e pranisë së elementit shqiptar në këtë zonë.

 

Bashkëpunëtori i jashtëm i këtij projekti, prof. Mustafa Ibrahimi, u prezantua me kumtesën “Digjitalizimi i toponimeve dhe i të folmeve shqipe në Maqedoninë e Veriut: përvojat kroate dhe maqedonase dhe propozimi i një modeli origjinal duke filluar nga toponimia e rrethit të Kumanovës”, në të cilën – duke marrë shembullin e një projekti kroat – vuri në pah nevojën dhe mundësinë e digjitalizimit të trashëgimisë kulturore në përgjithësi e të toponimisë në veçanti, gjithnjë duke e marrë si shembull zonën e Kumanovës.

 

Kumtesa e fundit ishte “Platforma digjitale e trashëgimisë kulturore shqiptare në RMV”, e paraqitur nga studiuesi Isamet Bakiu, i cili për arsye objektive nuk ishte i pranishëm në sallë. Prezantimin e saj e bëri Sali Islami. Kumtesa kishte të bëjë me platformën digjitale që është ndërtuar me këtë projekt, e cila synon ta tubojë dhe sistemojë aty trashëgiminë kulturore shqiptare, ndërsa në të ardhmen edhe ta pasurojë, për t’u bërë një korpus i i përgjithshëm i trashëgimisë kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

 

Pas përfundimit të sesioneve shkencore, u hap mundësia për diskutime dhe debat rreth kumtesave të lexuara.

 

Në fund, u lexuan konkluzionet e kësaj tryeze shkencore, që ishin përgatitur nga Zeqirija Ibrahimi – këshilltar shkencor i Institutit.

 

Punimet e tryezës shkencore përfunduan në orën 16.00.

 

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve vlerëson se kjo tryezë shkencore e ka përmbushur synimin e saj shkencor, duke i prezantuar rezultatet e punës hulumtuese që e kanë realizuar punëtorët shkencorë të Institutit në rajonin e Kumanovës dhe Likovës.

 

Me këtë tryezë është përmbyllur me sukses kjo veprimtari hulumtuese dhe prezantimi i rezultateve. Instituti vlerëson se, me gjithë vështirësitë e paraqitura, ky ka qenë një projekt i suksesshëm dhe ka sjellë rezultate konkrete që do të jenë të dobishme për shkencën e albanologjisë sot dhe në të ardhmen në vendin tonë dhe më gjerë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button