Jansha i premton Kurtit mbështetjen e Sllovenisë në rrugën drejt integrimit evropian
- “Ju lutem, jini të sigurt që Kosova mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e plotë të vendit tonë dhe në ndihmë në këtë fushë”, tha kryeministri slloven, Jansha

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pranoi letër urimi për mandatin e ri nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Janez Jansha, i cili ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në procesin e integrimit evropian, transmeton Anadolu.
“Dua gjithashtu të shfrytëzojë këtë mundësi për të shprehur besimin e palëkundur që marrëdhëniet miqësore dhe partneriteti ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës do të vazhdojë të forcohet në dobi të qytetarëve tanë”, shkroi Jansha.
Teksa ofroi mbështetje dhe ndihmë në procesin e integrimit evropian, kryeministri Jansha i dëshiroi suksese kryeministrit Kurti dhe shtoi se mezi pret vazhdimin e bashkëpunimit.
“Sllovenia i kushton rëndësi të posaçme marrëdhënieve të saj me shtetet e Evropës Juglindore dhe përparimit të tyre në rrugën drejt integrimit Evropian. Ju lutem, jini të sigurt që Kosova mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e plotë të vendit tonë dhe në ndihmë në këtë fushë”, vazhdoi kryeministri Jansha.
Sllovenia është ndër vendet që mbështesin integrimin evropian të Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit të saj me institucionet dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

