Kuvendi i Kosovës miraton në parim Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Anadolu.
Para deputetëve, projektligjin të cilin e shpalosi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e vlerësoi si një projektligj me peshë të veçantë për shtetin e Kosovës dhe sundimin e ligjit, për rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe për besimin e qytetarëve në drejtësi.
Ministrja Gërvalla u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta mbështesin këtë projektligj, pa dallim të përkatësisë politike.
“Sepse lufta kundër keqpërdorimit të parasë publike, pasurisë së pajustifikueshme, forcimi i llogaridhënies dhe mbrojtja e interesit publik nuk duhet të jenë çështje të ndarjes politike, por detyrim i përbashkët shtetëror”, u shpreh Gërvalla.
Ajo theksoi se projektligji ka kaluar nëpër filtra të fortë vendor dhe ndërkombëtar dhe për të kanë punuar ekspertë, janë zhvilluar konsultime dhe analiza krahasimore me kujdes të lartë kushtetues.
Duke folur për rolin dhe funksionimin e Byrosë, Gërvalla sqaroi se ky ligj nuk synon qytetarët e zakonshëm, por merret me zyrtarët publikë dhe bartësit e funksioneve publike, të cilët kanë detyrim për të dhënë llogari për pasurinë e krijuar gjatë ushtrimit të funksionit publik.
“Byroja nuk konfiskon. Byroja nuk gjykon. Byroja nuk i zëvendëson gjykatat. Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin. Vendimi për konfiskim merret nga gjykata. Pra një mekanizëm kushtetues, i balancuar dhe në harmoni me parimet e shtetit ligjor”, tha ajo.
Ministrja Gërvalla shtoi se ky projektligj ka edhe një dimension mbrojtës, duke garantuar drejtësi për të gjithë ata që pasurinë e kanë krijuar në mënyrë të ligjshme.
Në përmbyllje, Gërvalla ritheksoi se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është garanci për integritet institucional, për llogaridhënie dhe garanci se shteti nuk do të dorëzohet përballë pasigurisë dhe pasurisë së pajustifikueshme.
Pro miratimit të këtij projektligji votuan 81 deputetë ndërsa 25 abstenuan dhe asnjë votë nuk ishte kundër. Projektligjit i duhet edhe një votim i dytë nga deputetët për të hyrë në fuqi.
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kërkuar më herët ndryshime në projektligj duke theksuar se vetëm me ndryshimet e propozuara do ta votojnë më tutje.
