Pse nuk u përgjigjem sulmeve?

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI
“Që ta dimë se kush jemi ne, duhet ta dimë se kush nuk jemi ne dhe kundër kujt jemi ne.” Samuel Huntington
Më ndodhë shpesh që kur postoj në murin tim në FB ndonjë opinion politik ose mendim për ndonjë ngjarje të aktualitetit ose për ndonjë temë tjetër, të më vërsulen plot çuna e çupa, me akuza dhe, madje, të përdorin profile fiktive për të konstruktuar sulme nën bel e ofendime mbi baza personale, për ta zhvendosur idenë e mendimit tim etj., me të vetmin qëllim përbaltjen dhe njollosjen. Dhe, unë e di mirë se efekti i të a.q. media të tilla është që duke e përsëritur një gënjeshtër ose një konstruksion të bësh që ajo të duket e besueshme. Andaj, shumë prej atyre që nuk më njohin personalisht edhe mund të besojnë dhe, bile, të marrin guximin të më shajnë dhe, pse jo, edhe të më përqeshin e ofendojnë.
Dhe, sa herë që ndodh kjo, plot miq, kolegë, shokë e familjarë më pyesin se pse nuk u përgjigjem. Shumë prej këtyre miqve, sigurisht me dashamirësi, me ofrojnë edhe të dhëna kredibile se kush janë ata sulmues, por unë gjithnjë i refuzoj. Thjesht, nuk dua të merrem me ata.
Por, meqë gati gjithnjë përsëritet kjo rutinë, dua këtu të shpjegoj për herë të parë dhe të fundit se pse nuk u përgjigjem atyre sulmeve.
Gjëja e parë që duhet ta them se është se kur i përgjigjesh dikujt, ashtu ia legjitimon nivelin. Ndërsa ata njerëz janë rëndom mediokër që ose kanë ndonjë diplomë të blerë, ose janë “ngelafsha të gjimnazit”, ose janë maturantë veteranë (jo veterinerë, se disa i ngatërrojnë këta emra), ose janë provincialë që duke i sharë të tjerët duan vetaktualizim, ose janë haraçmbledhës a vagabondë, e ndonjëri mund të jetë edhe konsumator i ndonjë substance psikotropike. Prandaj t’u përgjigjesh atyre, kjo do të thotë se i legjitimon që je në nivelin e tyre. Për fat të keq ose për fat të mirë, varësisht nga perspektiva, unë nuk luaj në atë “ligë”.
Gjëja e dytë më lidhet me citatin e Huntington-it, që e solla në fillim. Ndonëse është një formule brutale e Perëndimit modernist, që ta perceptosh veten përmes kundërshtarëve, kjo nuk është edhe formulë e keqe për të bërë diferencën. Nëse të shan një njeri që kurrë nuk citon asnjë libër dhe asnjë autor, që nuk e ka lexuar as Ukshin Hotin, as Rene Guenon-in, as William Chittick-un, as Martin Lings-in, as Umberto Eco-n, as Milan Kunderën, as Orwellin e Hyxley-n, as Amin Maloof-in, as Zigmund Bauman-in, as Emilio Gentilen e Mircea Elliade-n, as Ibrahim Kalın-in, as Abdi Baletën, as Enis Sulstarovën e as Hysamedin Ferajn dhe që librin e fundit që e ka lexuar deri në gjysmë është “Afërdita përsëri në fshat”, debati me të është përçmim i vetvetes. Ose, edhe ndryshe: nëse të shan një njeri që nuk e di as identitetin e vet gjinor, nëse të shan një njeri që edhe sulmin ta bën me rrugaçëri dhe pa asnjë argument politik, pa asnjë finesë filologjike e pa asnjë takt etik, kjo është mënyra e mirë për ta dalluar veten se ti nuk je si ai. Prandaj, unë vetëm i falënderoj ata që më shajnë ashtu, sepse në atë mënyrë më bëjnë të dallohem prej tyre.
Gjëja e fundit që dua ta them është se më vjen shuuumë keq për nivelin e komunikimit publik. Nëse krijuesit e mendimit publik të shqiptarëve në vendin tonë janë ky soj i njerëzve, vërtet kemi degraduar keq. Ky është alarm veçmas për universitetet dhe shkollat tona. Sepse, rregulla është e thjeshtë – kur nuk flasin të diturit, bëjnë zhurmë injorantët.
Dhe, krejt në fund, po – është e vërtetë se unë jam autor i formulës politike 3A (Autokton, Autentik, Autonom) dhe jam i gatshëm që për këtë të debatoj me secilin analist kompetent, politikan e studiues të shkencave sociale e albanologjike në cilindo medium të vendit tonë ose jashtë. Ama, nuk do të pranoj të diskutoj për këtë temë me njerëz mediokër. Vetëm kur të më bindin se e kanë përfunduar romanin “Afërdita përsëri në fshat”, mund të flasim për librin e radhës që duhet ta lexojnë.
Kaq!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button