Shoqëria shqiptare si vazhdim i shoqërisë ideologjike të kohës së komunizmit

Sundimi i gjatë i Enver Hoxhës e kishte shndërruar Shqipërinë në një vend thellësisht të izoluar, të rraskapitur ekonomikisht dhe të mbajtur në këmbë përmes frikës, terrorit dhe një makinerie propagandistike të gjithanshme. Pas fasadës së barazisë sociale fshihej pabarazia. Pushteti real mbështetej mbi rrjete të ngushta nepotike dhe klanore, shpesh të ndërtuara mbi origjinën krahinore dhe besnikërinë personale ndaj udhëheqjes. Për dekada me radhë, këto struktura e kthyen shtetin në një instrument të ruajtjes së pushtetit të tyre – aq sa, në thelb, ata vetë u bënë shteti.
Xhafer SADIKU, Tiranë
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada nga rrëzimi i sistemit komunist, Shqipëria vijon të përballet me vështirësi serioze në ndërtimin e një shteti demokratik dhe në formësimin e një shoqërie demokratike. Ndryshimet politike, të realizuara ndër vite, kanë qenë të dukshme në formë, por pak në përmbajtje, gjë që vërehet në transformimin e ngadalshëm të shoqërisë. Shoqëria shqiptare duket se mbetet e lidhur fort me të shkuarën e saj, e paaftë ta kapërcejë plotësisht atë dhe të projektojë një të ardhme të qëndrueshme dhe demokratike. Duket se pa një reflektim të sinqertë dhe kritik mbi trashëgiminë historike, plagët e së kaluarës vazhdojnë të ndikojnë mendësinë kolektive, marrëdhënien me pushtetin dhe funksionimin e institucioneve. Në këtë kuptim, rrënjët e krizës aktuale shoqërore dhe demokratike duhet kërkuar pikërisht aty ku ndryshimi ka qenë më i vështirë – te vetë shoqëria dhe raporti i saj i pazgjidhur me të shkuarën.
Regjmi komunist: sistem biografish dhe luftë klase në shoqërinë pa klasa
Shqipëria e periudhës komuniste e përkufizoi veten si shtet socialist, por në realitet ajo funksionoi mbi themele të ndryshme nga modeli teorik i socializmit. Partia e Punës së Shqipërisë (PPSH) ndërtoi një rend politik si “diktaturë e proletariatit”, madje ishte e shprehur edhe në kushtetutën e vitit 1976. Megjithatë, termi “diktaturë e proletariatit” nuk përkonte me realitetin shqiptar. Shteti shqiptar ishte në fakt diktaturë komuniste e Partisë së Punës së Shqipërisë, burokracisë partiake të saj, e cila ishte njëkohësisht edhe burokracia shtetërore. Shoqëria shqiptare kontrollohej gjithashtu nga organizatat bazë të partisë që ishin shtrirë deri në fshatrat më të largëta të vendit. Partia e kishte strukturuar shoqërinë të organizuar në organizata të ndryshme: që nga organizata e pionierit, e rinisë, e gruas dhe deri tek organizata më e madhe, ajo e Frontit Demokratik.
Në qendër të këtij rendi qëndronte sistemi i biografive politike të përpiluara nga PPSH-ja, një instrument i sofistikuar kontrolli që e ndante shoqërinë shqiptare në “të besuar” dhe “të dyshimtë”. “Biografia” nuk ishte thjesht një e dhënë personale ose familjare, por një vulë politike e Partisë që e përcaktonte fatin e individit: arsimimin, karrierën, të drejtat dhe, madje, edhe mbijetesën sociale. E administruar nga Partia dhe Sigurimi i Shtetit, kjo ndarje u shndërrua në mjetin kryesor për zhvillimin e luftës së klasave në një shoqëri që, paradoksalisht, shpallej zyrtarisht “pa klasa”.
Pas vitit 1966, për ta ideologjizuar dhe njëkohësisht korruptuar pjesën e shoqërisë që përfitonte nga regjimi, Partia e praktikoi të ashtuquajturën “Vija e Masave”. Kjo nënkuptonte aktivizimin e mbështetësve të regjimit në një rrjet kontrolli të përhershëm ndaj qytetarëve me “biografi të keqe”, të skeduar si “kontingjente të hapura”. Individët e përfshirë në këtë mekanizëm survejimi vullnetar shpesh konkurronin vetë rrjetin e Sigurimit të Shtetit për nga informacionet që i përcillnin Partisë, duke e shndërruar spiunimin në normë sociale.
Ai që quhej legjislacion nuk kishte lidhje reale me konceptet e së drejtës ose të lirisë, por shërbente si instrument politik për mbajtjen e pushtetit dhe kontrollin e shoqërisë. Një rol kyç në këtë proces pati edhe sistemi arsimor, veçanërisht pas vitit 1966. Sistemi arsimor, i politizuar deri në ekstrem, u kthye në laboratorin kryesor të këtij transformimi. Tekstet shkollore, sidomos lëndët si Marksizëm-leninizmi, Historia e PPSH, Letërsia dhe Historia e Shqipërisë, u shndërruan në mjete të drejtpërdrejta indoktrinimi. Si pasojë, u formua një elitë intelektuale pothuajse tërësisht e ideologjizuar si rrallëkund në vende të tjera të bllokut lindor dhe e instrumentalizuar në luftën kundër të ashtuquajturit “armiku i brendshëm”.
Në të njëjtën logjikë funksiononin edhe organizatat e masave. Të gjitha ishin të strukturuara si hallka të një mekanizmi të vetëm politik, ushtarë besnikë të partisë-shtet, të angazhuar jo në përfaqësimin e shoqërisë, por në mobilizimin në mbështetje të PPSH-së dhe nën kontrollin e saj.
Pas vitit 1966, regjimi e radikalizoi këtë model, duke e forcuar kontrollin mbi pjesën e shoqërisë që e kishte skeduar si “kontingjente armike” dhe nuk lejoi asnjë nga nxënësit me rezultate të larta nga këto familje të vazhdonin shkollat e larta. Në këtë mënyrë, nga pjesa e shoqërisë që e mbështeste PPSH-në u formua i ashtuquajturi “njeri i ri”, projekt që u paraqit si triumfi më i madh ideologjik i komunizmit shqiptar dhe Partia e konsideronte fitoren më të madhe të saj.
Realiteti përtej fasadës së propagandës komuniste
Sundimi i gjatë i Enver Hoxhës e kishte shndërruar Shqipërinë në një vend thellësisht të izoluar, të rraskapitur ekonomikisht dhe të mbajtur në këmbë përmes frikës, terrorit dhe një makinerie propagandistike të gjithanshme. Pas fasadës së barazisë sociale fshihej pabarazia. Pushteti real mbështetej mbi rrjete të ngushta nepotike dhe klanore, shpesh të ndërtuara mbi origjinën krahinore dhe besnikërinë personale ndaj udhëheqjes. Për dekada me radhë, këto struktura e kthyen shtetin në një instrument të ruajtjes së pushtetit të tyre, aq sa, në thelb, ata vetë u bënë shteti.
Pas vdekjes së Hoxhës dhe ardhjes së Ramiz Alisë në krye të vendit, u bë e dukshme jo vetëm kriza e thellë ekonomike, por edhe falimentimi politik i sistemit. Propaganda dhe arsimi komunist e kishin ideologjizuar shoqërinë në çdo qelizë të saj: lufta e klasave kishte përçarë dhe persekutuar pa mëshirë një pjesë të popullsisë, ndërsa “vija e masave” e kishte deformuar dhe korruptuar pjesën tjetër.
Elita intelektuale e formuar nga PPSH-ja ishte thellësisht e komprometuar me ideologjinë komuniste dhe luftën e klasës, çka e bënte të paaftë për të prodhuar një reformim real të sistemit pa folur këtu për shoqërinë.
Përballë një shoqërie të lodhur nga izolimi dhe një ekonomie në kolaps, Ramiz Alia u përpoq ta menaxhonte trashëgiminë e rëndë të regjimit përmes lëvizjeve të kontrolluara nga lart. Një prej tyre ishte riekuilibrimi i strukturave drejtuese të sistemit, përmes emërimit të kuadrove nga zona të ndryshme të vendit, përfshirë edhe Veriun – një hapësirë e injoruar për dekada nga regjimi i Hoxhës. Synimi ishte dobësimi i klaneve të konsoliduara dhe krijimi i një balance të re brenda Partisë së Punës. Megjithatë, kjo strategji prodhoi më shumë tension sesa stabilitet. Klanet e vjetra nepotike dhe krahinore e panë atë si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj monopolit të tyre mbi pushtetin dhe privilegjet.
Në përpjekje për të nxjerrë ekonominë nga kriza, Alia zbuti qëndrimin ndaj nxënësve me biografi “jo të mirë”, nga familje të rehabilituara, por me rezultate të larta mësimore, duke u lejuar aksesin në arsimin e lartë në degët e prodhimit. Degët e drejtimit, ndërkaq, mbetën privilegj i familjeve të nomenklaturës. Edhe pse një masë e diktuar nga nevoja, ajo u perceptua nga elementët më sektarë të partisë si zbutje e luftës së klasave dhe shkaktoi reagime të forta në një shoqëri të ideologjizuar deri në palcë.
Ndërkohë, kriza ekonomike dhe shoqërore vetëm sa thellohej. U bë gjithnjë e më e qartë se problemi nuk qëndronte te emrat ose rishpërndarja e pushtetit, por te vetë sistemi politik dhe ekonomik i ndërtuar gjatë dekadave të regjimit të Hoxhës: një sistem i mbyllur, joefikas dhe i pareformueshëm nga brenda. Rënia e regjimeve komuniste në Europën Lindore e kishte zhveshur modelin shqiptar nga çdo justifikim ideologjik.
Që në muajt e parë të vitit 1990-të, Shqipëria u përfshi nga lëvizje popullore hapur antikomuniste, fillimisht në Kavajë, Shkodër dhe Tiranë, e më pas edhe në qytete të tjera. Këto nuk ishin më shpërthime spontane pakënaqësie, por artikulime të qarta politike, të shoqëruara me parulla kundër regjimit dhe kundër Partisë së Punës.
Raportet e Sigurimit të Shtetit, të dërguara me ngut në instancat më të larta, pasqyronin një realitet alarmues: pakënaqësia ishte e thellë, e përhapur dhe gjithnjë e më e vetëdijshme, sidomos në shtresat më të shtypura të popullsisë. Megjithatë, gjuha e këtyre dokumenteve mbetej e ngurtë dhe ideologjike, duke ia faturuar krizën “armikut të klasës” dhe ndikimeve të jashtme. Udhëheqja komuniste vazhdonte ta shihte krizën jo si pasojë të dështimit të vet, por si produkt të “armikut të brendshëm dhe të jashtëm”.
Propaganda ideologjike u ashpërsua sërish kundër bejlerëve, agallarëve, borgjezisë dhe kulakëve, sikur Shqipëria e vitit 1990-të të ishte ende ajo e pasluftës. Figura e “armikut të brendshëm” u bë boshti i narrativës zyrtare, sepse pa të pushteti do të duhej të pranonte se kriza ishte prodhim i vetvetes.
Në këtë kontekst u zhvillua edhe takimi i Ramiz Alisë me elitën intelektuale të Tiranës, më 12 gusht 1990. Ai dëshmonte qartë se regjimi ndiente presionin në rritje dhe kërkonte mbështetje morale nga ata që për vite kishte formuar si elitë dhe prej së cilës kërkonte shërbimin e radhës. Diskursi enverist mbi “rrezikun e brendshëm” nga “armiku i klasës”, që kinse “kërkonte të merrte pushtetin”, ishte formula magjike që e bënte “elitën” të trembej pasi ishte e bindur se veprat e tyre i kishin shërbyer diktaturës dhe diktatorit dhe koha po i hidhte poshtë.
Një përpjekje e ngjashme u përsërit më 6 shtator 1990, në takimin me aktivistë të organizatave shoqërore. Premtimet për reforma dhe thirrjet për unitet synonin të ruanin iluzionin e një pushteti që ndryshon pa u transformuar. Në thelb, ishte një përpjekje për të fituar kohë dhe për ta zgjatur agoninë e një sistemi që kishte falimentuar prej vitesh.
Pranimi i hapur i gjendjes reale erdhi në Plenumin XII të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 6 nëntor 1990, kur gjendja ekonomike u cilësua si “në kufijtë e një gjendjeje të jashtëzakonshme”. Ky ishte një pranim i vonuar, por domethënës: për herë të parë, regjimi e pranoi publikisht se kriza kishte dalë jashtë kontrollit.
Nga lëvizjet antikomuniste tek lëvizja studentore: Kontrolli mbi “armikun e klasës”
Në këtë kontekst, kriza shqiptare u shfaq si një ngërç që nuk mund të zgjidhej më thjesht me rishpërndarje postesh apo balancime krahinore. Ngjarjet e dhjetorit 1990 nuk ishin një surprizë, por përfundimi logjik i një procesi të gjatë kalbëzimi politik dhe ekonomik. Sistemi i ndërtuar nga Enver Hoxha kishte falimentuar dhe, bashkë me sistemin, ra edhe shtatorja e udhëheqësit të vdekur, si njeri e si simbol.
Partia e Punës, përgjegjëse për masakrat e përgjakshme dhe luftën e klasave, e ndërroi emrin, por nuk kërkoi falje për krimin më të madh mbi shqiptarët, luftën e klasave. As udhëheqësi i saj, Ramiz Alia, dhe asnjë nga krerët e shtetit të pas vitit 1990-të. Për çudi, as studentët e lëvizjes së dhjetorit nuk e denoncuan sistemin e biografive, luftën e klasave dhe vijën e masës! Këto ishin dhe mbeten armët kriminale të përdorura nga PPSH-PS dhe Sigurimi i Shtetit për të shtypur dhe terrorizuar një pjesë të shoqërisë.
Një nga arsyet që mund ta shpjegojë këtë qëndrim të studentëve dhe intelektualëve lidhet me formimin e tyre ideologjik dhe kulturor gjatë periudhës komuniste. Elita intelektuale e formuar nën regjimin komunist ishte edukuar brenda një konteksti shumë të ngushtë, ku konceptet e “armiqve të klasës” dhe “biografisë së pastër” ishin të ngulitura thellë në mendjet e tyre. Ky mentalitet, si dhe stigma ndaj atyre që ishin përndjekur nga regjimi komunist, vazhdoi të ndikohej në mënyrën se si intelektualët dhe studentët e asaj kohe e shihnin të kaluarën dhe realitetin e paskomunist.
Pas ndryshimeve politike të vitit 1992, u deshën pesë vite që nga radhët e të persekutuarve nga regjimi komunist të formohej elita jokomuniste e Shqipërisë. Mirëpo, “elita” kulturore e regjimit komunist, e formuar gjatë periudhës së realizmit socialist, e ruajti monopolin e saj mbi sundimin ideologjik dhe privilegjet e tyre. Po kështu, sistemi arsimor, që mbajti një lidhje të fortë me ideologjinë komuniste, nuk kontribuoi për dekomunistizimin e shoqërisë.
Megjithatë, pluralizmi politik që u krijua nga dhjetori 1990-të, ia hoqi PPSH-së dhe Sigurimit të Shtetit një nga mjetet e tyre më të fuqishme – armën e “agjitacionit dhe propagandës”, me të cilën kishin dënuar, internuar dhe dëbuar mijëra qytetarë. Ky ishte një moment i rëndësishëm që hapi rrugën për një reflektim të thellë dhe për krijimin e një sistemi të ri edukativ dhe kulturor, që do të mund ta edukonte shoqërinë me parimet e lirisë dhe demokratizimin e shoqërisë.
Nëse sot Shqipëria është në këtë gjendje, duhet ta kujtojmë të shkuarën e afërt. Proceset dhe idetë demokratike janë jetike për të formuar një shtet të së drejtës dhe një shoqëri të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme mbi vlerat e lirisë, humanizmit dhe drejtësisë.



