Drejtori i CIA-s viziton Karakasin, takon presidenten e përkohshme të Venezuelës

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, është takuar të enjten në Karakas me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, në një angazhim të rrallë të nivelit të lartë që nga kapja e presidentit Nicolas Maduro nga forcat amerikane në një ndërhyrje ushtarake më herët këtë muaj, raportoi The New York Times, transmeton Anadolu.

Vizita pasoi një bisedë telefonike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Rodriguez një ditë më parë dhe përkoi me takimin e Trumpit në Washington me lideren e opozitës venezuelase, Maria Corina Machado.

Zyrtarë amerikanë thanë se Ratcliffe përcolli mbështetjen e administratës Trump për qeverinë e përkohshme si një rrugë drejt stabilitetit afatshkurtër në Venezuelë.

Me udhëzim të Trumpit, Ratcliffe ka dërguar një mesazh se Washingtoni synon një marrëdhënie më të mirë pune, thanë ata. Bisedimet përfshinë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës, stabilitetin ekonomik dhe përpjekjet për të parandaluar që Venezuela të shërbejë si strehë për “kundërshtarët e SHBA-së, veçanërisht trafikantët e narkotikëve”, ka thënë një zyrtar në kushte anonimiteti.

Sipas raportimit, zyrtarët amerikanë e shohin Rodriguezin, e cila mori presidencën e përkohshme pas largimit të Maduros, si një figurë stabilizuese të aftë për të ruajtur kontrollin mbi forcat e sigurisë dhe infrastrukturën kyç gjatë periudhës së tranzicionit. Vlerësimet e inteligjencës amerikane e kanë përshkruar atë si pragmatike dhe të hapur ndaj angazhimit.

Prioritetet e SHBA-së që nga rrëzimi i Maduros janë fokusuar në parandalimin e paqëndrueshmërisë në Venezuelë, kanë thënë zyrtarët. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përsëritur mbështetjen për një tranzicion drejt demokracisë, duke pranuar se një pjesë e madhe e opozitës vazhdon të jetë jashtë vendit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button