Agjenti i Dragusin zbulon parapaskenat e një nate të gjatë: Nuk e besoj që refuzuam Bayern!

Telenovelës Radu Dragusin i erdhi fundi me lojtarin që në orët e ardhshme do të kryejë vizitat mjekësore e më pas do të zyrtarizohet si futbollisti më i ri i Tottenham në Premier League. Rumuni kishte shumë oferta në tavolinë megjithatë në fund zgjodhi t’i qëndronte besnik anglezëve të cilëve ia kishte dhënë fjalën që në fillimin e kësaj merkatoje dimërore.
21-vjeçari refuzoi edhe Bayern Munich për t’u transferuar në Londër teksa agjenti i mbrojtësit, Florin Manea thekson se ende nuk e beson se kanë refuzuar rekordmenët e Gjermanisë.
“Akoma nuk e besoj se kemi refuzuar Bayern Munich. Klubin e ardhshëm të Dragusin e vendosëm në tetë të mëngjesit, pas një nate që e kaluam pa fjetur fare. Ishte një zgjedhje tepër e vështirë, Bayern e kërkonte me çdo kusht dhe bëri ofertë zyrtare.
Madje, ofruan më shumë para se të tjerët, por Dragusin vendosi se Tottenham dhe Premier League ishin hapi i duhur për karrierën e tij. Dragusin kishte ofertë edhe nga Napoli me Milanin, por që i vogël ëndërronte të luante në Premier League.
Tottenham bëri një sforco të madhe për Dragusin dhe ne i kishim dhënë fjalën se nëse do të gjenin akordin me Genoan atëherë lojtari do të transferohej në Londër”, u shpreh Manea.



