Kuvendi voton dy anëtare të reja të Këshillit Gjyqësor

Profesorja Arlinda Kadri Shahinoviq dhe avokatja Suzana Joshevska–Anastasovska janë anëtaret e reja të Këshillit Gjyqësor. Deputetët në Kuvend sot votuan zgjedhjen e dy kandidateve, të cilat u propozuan nga presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
Ajo para përfaqësuesve të popullit arsyetoi propozimet e saj dhe shpjegoi se zgjedhjen e ka bërë në përputhje me profesionalizmin dhe kompetencën e tyre. Nga foltorja e Kuvendit theksoi gjithashtu se reformat në gjyqësor nisin pikërisht nga Këshilli Gjyqësor.
“Këshilli Gjyqësor është rentgeni, mikroskopi. Në Këshillin Gjyqësor duhet të ulen njerëz që dinë të vlerësojnë mbi bazën e kualifikimeve që kanë, por edhe mbi bazën e integritetit dhe dinjitetit. Besoj se dy kandidatët nuk i kam propozuar sepse janë gra, edhe pse mendoj se është vërtet e nevojshme të ndryshohet bota e menaxhimit, por para së gjithash për shkak të profesionalizmit dhe kompetencës së tyre.”
Një pjesë e deputetëve të opozitës votuan kundër propozimit të presidentes Siljanovska Davkova. Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, tha se dyshojnë në sinqeritetin e presidentes në këtë zgjedhje, pasi, siç u shpreh ajo, veprimet e saj gjithmonë kanë qenë në vijë me politikën e VMRO-DPMNE-së.
“Për këtë pikë të rendit të ditës, për votimin e zgjedhjes së dy anëtarëve, ne do të votojmë kundër. Kemi dilema dhe hezitime lidhur me sinqeritetin e gjithë këtij procesi, duke pasur parasysh se që në fillim qëndrimet dhe veprimet e presidentes kanë qenë gjithmonë në vijë me politikën e VMRO-DPMNE-së.”
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, lidhur me kandidatët e propozuar nga presidentja e shtetit Siljanovska Davkova, tha se nuk dyshon në zgjedhjen e saj.
“Kandidatët e presidentes i morëm vesh si të gjithë të tjerët – nga mediat. Presidentja është, para së gjithash, juriste, profesoreshë, dhe nuk dyshoj në zgjedhjen e saj. Besoj se ka zgjedhur profesionistë të vërtetë, të cilët do të kontribuojnë në punën e Këshillit Gjyqësor.”
Arlinda Kadri-Shahinoviq është profesoreshë universitare me karrierë të gjatë akademike në Fakultetin e Shkencave Juridike dhe Politike pranë universiteteve FON dhe MIT, ndërsa në opinionin publik njihet edhe si ish-anëtare e Komisionit për Falje. Suzana Joshevska-Anastasovska është avokate dhe juriste me përvojë shumëvjeçare. Më herët, për Televizionin 24, ajo kishte deklaruar se ofertën për t’u propozuar si anëtare e Këshillit Gjyqësor e kishte pranuar me përgjegjësi të madhe.


