Gjermania do të aktivizojë sistemin izraelit të mbrojtjes Arrow 3 kundër raketave me rreze të gjatë

Gjermania pritet të aktivizojë baterinë e saj të parë të sistemit izraelit të mbrojtjes ajrore Arrow 3, të destinuar për të ndalur raketat balistike me rreze të gjatë, raportuan mediat të mërkurën.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se ky sistem mbrojtjeje do të forcojë ndjeshëm Gjermaninë dhe partnerët e saj.
“Kjo na jep aftësinë, për herë të parë, të ofrojmë paralajmërim të hershëm dhe të mbrojmë popullsinë dhe infrastrukturën tonë nga raketat balistike me rreze të gjatë. Me këtë aftësi strategjike, e cila është unike mes partnerëve tanë evropianë, ne sigurojmë rolin tonë qendror në zemër të Evropës,” tha Pistorius për Agjencinë Gjermane të Shtypit (dpa) në Berlin.
“Kjo do të thotë se ne jo vetëm po mbrojmë veten, por edhe partnerët tanë. Ne po forcojmë shtyllën evropiane të NATO-s dhe po përmbushim një objektiv planifikimi të Aleancës”, shtoi ai.
Sistemi, i cili është blerë në Izrael, raportohet të jetë përgjigje ndaj kërcënimit të paraqitur nga Rusia. Mbrojtja është projektuar të shkatërrojë raketat armike në lartësi deri në 100 kilometra (62 milje), një aftësi që Forcat e Armatosura Gjermane aktualisht nuk e kanë.
Baza ajrore Schönewalde/Holzdorf, e vendosur në jug të Berlinit, është lokacioni i parë nga tre vendndodhjet e planifikuara për Arrow 3.
Gjermania do të jetë vendi i parë jashtë Izraelit që vendos sistemin, sipas një marrëveshjeje mbrojtëse me vlerë 3,6 miliardë euro (4,2 miliardë dollarë).
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, vendet evropiane reduktuan mbrojtjen e objektivave ushtarake dhe civile ndaj sulmeve ajrore dhe e lanë pas dore për një kohë të gjatë. Së fundmi, qarqe të planifikimit të NATO-s kanë deklaruar se kapacitetet e mbrojtjes ndaj sulmeve ajrore duhet të rriten me 400 për qind.
Qeveria gjermane tani po investon më shumë në mbrojtjen ajrore. Gjermania ka nisur gjithashtu një nismë për krijimin e një sistemi evropian të mbrojtjes ajrore (European Sky Shield Initiative/ESSI), ndërsa 23 vende partnere i janë bashkuar projektit.



