Pas tetë muajsh nga tragjedia, nis gjyqi për zjarrin në diskotekën “Puls” – të akuzuar janë 34 persona

Procesi gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, që ndodhi më 16 mars dhe ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u plagosën, nis sot në sallën e gjyqit në burgun e “Idrizovës”.
Prokurori i përgjithshëm shtetëror, Ljupço Kocevski, njoftoi se aktakuzën do ta përfaqësojë një ekip prej rreth 15 prokurorësh, me një plan të përcaktuar më herët për koordinimin e tyre.
“Në sallën e gjyqit aktakuzën do ta përfaqësojnë të njëjtët prokurorë si deri më tani, por ka gjasa të angazhojmë edhe disa të tjerë, në mënyrë që procedura të mos zvarritet. Nga ana jonë jemi plotësisht të përgatitur dhe të kompletuar”, deklaroi Kocevski javën e kaluar. Aktakuza, e dorëzuar në qershor të këtij viti, përfshin 34 persona fizikë dhe tre persona juridikë, të akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Mes tyre janë tre ish-kryetarë të komunës së Koçanit, katër drejtorë të mëparshëm të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, pesë nëpunës shtetërorë, një sekretar i përgjithshëm dhe dy ish-ministra të ekonomisë. Të akuzuarit e parë janë tre personat përgjegjës dhe pronarët e firmës, dega e së cilës ishte kabareja “Puls”.
Përveç çështjes kryesore, po zhvillohet edhe një hetim i veçantë ndaj 13 policëve të lidhur me rastin, i cili po ecën më ngadalë për shkak të shtyrjes së marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Vendimi nga Prokuroria Publike pritet në fillim të dhjetorit.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Koçanit po zhvillohet edhe një procedurë paraprake ndaj punonjësve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Sipas aktakuzës, për vite me radhë janë shkelur ligjet, janë fshehur parregullsitë dhe është lejuar funksionimi i objektit edhe pse ai nuk i plotësonte as kushtet minimale të sigurisë. Të akuzuar janë pronarët e diskotekës, anëtarë të familjeve të tyre, një arkitekte, ish-kryetarë komunash, inspektorë, punonjës sigurie dhe funksionarë shtetërorë.



