Clark: S’mund të konfirmoj nëse UÇK-ja u armatos nga ndonjë shtet i NATO-s

Clark thotë se nuk mund të konfirmojë nëse ndonjë organ apo entitet qeveritar i ndonjë vendi anëtar të NATO-s i kishte dhënë armë UÇK-së pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë në fillim të vitit 1999.
I pyetur nga prokurori Halling nëse nuk mund ta konfirmojë për shkak të konfidencialitetit, Clark tha shkurtimisht: “Thjesht nuk e di”.
Prokurori më pas e lexoi një raport informimi të ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Robin Cook, lidhur me operacionet e NATO-s, në të cilin ai thotë se “ne kemi marrë disa raporte nga UÇK-ja në dy javët e fundit dhe na ndihmon ta kemi perspektiven e asaj çka po ndodh, por nuk synojmë t’i furnizojmë ata me armë”.
Lidhur me këtë Clark tha se “jam i sigurt ka pasur deklarata nga dikush që ka thënë se UÇK-ja ka trokitur në derë për të kërkuar ndihmë, kjo është tërësisht ndryshe nga të pasurit një sistem të komandës dhe kontrollit, të unifikuar, i cili do të mbështeste NATO-n”.
Clark përsëriti se UÇK-ja nuk kishte komandë kontrolli.



