Durmishi godet BDI-në: Tetova nuk është bankomat i Teutës dhe çirakëve të saj

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, njëherit edhe shef shtabi i VLEN-it për Tetovë, Besar Durmishi, ka reaguar ashpër ndaj rikthimit në fushatë të ish-kryetares së komunës, Teuta Arifi, dhe ekipit të saj të vjetër nga BDI, të cilët tash garojnë nën emrin e ri Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).
Në një postim në rrjetet sociale, Durmishi ka theksuar se “BDI ka humbur fillin krejt” dhe se rikthimi i figurave të konsumuar politikisht është përpjekje për ta kthyer Tetovën në “bankomat personal”.
“Para katër vitesh, tetovarët me Bilall Kasamin i shkulën nga Tetova me votë, por sot ja ku janë sërish! Teuta Arifi prap del nëpër fushatë dhe kërkon votën e tetovarëve, kësaj radhe duke shfrytëzuar një maskë dhe marionetë që duhet ta luaj rolin e kandidatit! Të njëjtët njerëz, të njëjtat fytyra, të njëjtët mashtrues që e lanë qytetin në baltë dhe tani kthehen sikur s’ka ndodhur asgjë”, ka shkruar Durmishi.
Ai theksoi se për BDI-në, Tetova nuk është qytet për t’u zhvilluar, por “bankomat për përfitime politike dhe financiare”.
“Ne në VLEN jemi syçelë dhe nuk do të lejojmë që shkaktarët e shkatërrimit të këtij qyteti të kthehen nga dera e vogël. Tetova s’ka më vend për ata që zhvatën 24 milionë euro nga buxheti komunal. Jo, jo, Tetova s’kthen mbrapa, vetëm përpara…”, përfundon reagimi i tij.
Ky reagim i Durmishit vjen në kulmin e fushatës për zgjedhjet lokale, ku përplasjet mes VLEN-it dhe ish-funksionarëve të BDI-së janë intensifikuar sidomos në Tetovë, një nga bastionet kryesore politike të shqiptarëve.