13 të dyshuar akuzohen për vjedhjen e ngarkesave të trenave të mallrave në vlerë prej 22 milionë dollarësh në SHBA

13 burra janë akuzuar në lidhje me një operacion të dyshuar të vjedhjes në shkallë të gjerë të ngarkesave nga trenat e mallrave, ku janë vjedhur produkte në vlerë prej më shumë se 22 milionë dollarësh, të destinuara për shitësit kryesor me pakicë, transmeton Anadolu.

Sipas një aktakuze federale të bërë publike dje, ata dyshohet se kishin shënjestruar më shumë se 36 trena mallrash që transportonin atlete Nike, këpucë Crocs, vegla elektrike dhe produkte të tjera të konsumit, të importuara përmes porteve të Los Anxhelosit dhe Long Beach, dy prej qendrave më të ngarkuara të transportit detar në SHBA.

Trenat e mallrave që transportojnë produkte për shitësit me pakicë dhe konsumatorët në mbarë vendin janë bërë gjithnjë e më shumë objektiva të vjedhjeve të organizuara, veçanërisht pranë porteve kryesore amerikane, të cilat çdo ditë trajtojnë dërgesa me vlerë prej qindra miliona dollarësh.

Rritja e vjedhjeve të ngarkesave ka ngritur shqetësime te shitësit e mëdhenj me pakicë, përfshirë kompaninë Amazon.

Prokurorët pretenduan se të dyshuarit i ndalonin qëllimisht trenat duke dëmtuar sistemet e tyre të frenimit në lokacione të paracaktuara, përpara se t’i ngarkonin mallrat e vjedhura në kamionë.

Mallrat e vjedhura më pas i shiteshin një kompanie të paidentifikuar, e cila dyshohet se i rishiste ato për përfitim.

Zv/prokurori i parë federal, Bill Essayli, e përshkroi përmasën e vjedhjeve të dyshuara si “tronditëse” dhe u zotua se do të vazhdojnë ndjekjet penale edhe për raste të tjera të ngjashme.

Hetuesit zbuluan gjithashtu biseda në grup, në të cilat të dyshuarit dyshohet se kishin ndarë fotografi dhe video të tyre duke hyrë me forcë në vagonët e trenave dhe duke shfaqur mallrat e vjedhura dhe shuma të mëdha parash.

Sipas raportimeve, grupi kishte shpërndarë edhe imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale, ku paraqiteshin si “Los Trenes”, që në spanjisht do të thotë “Trenat”. Në këto imazhe shiheshin burra duke hedhur kuti me këpucë nga trenat në automjetet pranë tyre, ndërsa helikopterët e policisë fluturonin mbi zonë.

Të 13 të pandehurit përballen me akuza për komplot dhe vjedhje të ngarkesave të transportuara përmes hekurudhave ndërshtetërore, ndërsa dy prej tyre përballen gjithashtu me akuza për ushtrim dhune ndaj kompanive hekurudhore.

Në rast se shpallen fajtorë, ata mund të dënohen me burgim federal nga pesë deri në 20 vjet.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button