Kremlini: Sanksionet nuk e kanë dëmtuar Rusinë, por vetë BE-në

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov kritikoi përgatitjet e Bashkimit Evropian (BE) për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, duke deklaruar se ekonomia ruse nuk është prekur nga sanksionet e vendosura deri më tani dhe se prej tyre është dëmtuar ekonomia e BE-së, transmeton Anadolu.

Peskov foli me gazetarët rreth çështjeve aktuale ndërsa duke iu referuar përgatitjeve të BE-së për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, tha se “BE-ja dhe shumica e shteteve anëtare të saj kanë qëndrim shumë armiqësor ndaj Rusisë. Ata gabimisht besojnë se vazhdimi i politikës së sanksioneve mund të ndikojë në politikën e Rusisë”.

Sipas tij, Rusia nuk është nën ndikimin e këtyre sanksioneve. “Kjo situatë është demonstruar qartë nga 18 paketat e mëparshme gjatë tre viteve të fundit. Por, sanksionet e kanë dëmtuar qartë ekonominë e BE-së”, tha ai.

– “Ne jemi në favor të zgjidhjes së krizës ukrainase përmes mjeteve politike dhe diplomatike”

Peskov tha se ata janë të hapur për negociata për çështjen e Ukrainës. “Ne e mbajmë qëndrimin tonë për këtë çështje dhe jemi të hapur për procesin e negociatave. Një zgjidhje politike dhe diplomatike e krizës ukrainase është e preferueshme për ne. Qëndrimi ynë për këtë çështje është i njohur dhe nuk ka ndryshuar”, shtoi ai.

Pasi deklaroi se shkëmbimet e të burgosurve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës janë pezulluar për momentin, Peskov tha: “Kjo nuk do të thotë që shkëmbimet nuk do të vazhdojnë”.

“Dialogu me SHBA-në vazhdon përmes kanaleve të ndryshme. Ende nuk ka konsensus të qartë për datën kur do të zhvillohet kontakti i ardhshëm midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump”, tha ai.

– “Mbështesim reformimin e strukturës së KS-OKB-së”

Duke komentuar mbi vërejtjet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në lidhje me reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KS-OKB-së) dhe kufizimin e fuqisë së vetos, Peskov theksoi nevojën për konsensus për të reformuar KS-OKB-në.

Ai tha se arritja e konsensusit është praktikisht e pamundur kur pikëpamjet e anëtarëve të përhershëm të këshillit janë diametralisht të kundërta. “Ne mbështesim vazhdimisht idenë se në KS-OKB duhet të bëhet reformë dhe Këshilli duhet të përshtatet me realitetet që ndryshojnë me shpejtësi të epokës së re”, potencoi Peskov.

Zëdhënësi i Kremlinit mbrojti idenë se si Rusia ashtu edhe vendet anëtare të BRICS-it dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, të cilat i bashkojnë ato nën të njëjtën ombrellë, ndajnë një vizion të përbashkët për paqen dhe perspektivat e zhvillimit dhe se këto vende mbrojnë sistemin ekzistues të përqendruar te OKB-ja në marrëdhëniet globale.

“Do të shohim nëse mund ta përshtatim OKB-në me realitetin e së ardhmes. Por, tani për tani, situata është praktikisht e qartë”, tha Peskov.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button