19 palestinezë të vrarë në sulmet izraelite në Gaza gjatë natës
Nëntëmbëdhjetë palestinezë u vranë në sulmet ajrore izraelite gjatë natës në Rripin e Gazës, njoftuan burime lokale, transmeton Anadolu.
Të paktën trembëdhjetë viktima u dërguan në Spitalin e Dëshmorëve Al-Aksa në Deir al-Balah nga sulmet në shtëpitë në kampet e refugjatëve Nuseirat dhe al-Maghazi, tha një burim mjekësor.
Mbrojtja Civile Palestineze raportoi katër viktima nga një apartament në qytetin Hamad, në perëndim të Khan Younisit, i goditur nga avionët luftarakë izraelitë.
Në Rafah, ushtria izraelite shkatërroi zona të tëra banimi në lagjen Tel al-Sultan, thanë dëshmitarë për Anadolu.
Në veri të Rripit të Gazës, dy palestinezë u vranë dhe pesë u plagosën kur një dron izraelit goditi një shtëpi në Beit Lahia, tha një burim mjekësor nga spitali Kamal Adwan.
Ofensiva e vazhdueshme izraelite, pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor 2023, është përballur me kritika ndërkombëtare për shkeljen e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm. Konflikti ka rezultuar në mbi 39.900 palestinezë të vrarë dhe më shumë se 92.000 të lënduar, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka akuzuar Izraelin për gjenocid dhe ka urdhëruar ndalimin e operacioneve të tij ushtarake në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.