173 mijë fluturime në 6 muaj mbi Maqedoni

Sistemi i ri ATM (Air Traffic Management-Menaxhimi i Trafikut Ajror) në M-NAV është vënë në përdorim të plotë, përcjell TV21. Sipas autoriteteve, kjo mundëson rritjen e sigurisë, besueshmërisë dhe efikasitetit në menaxhimin e trafikut ajror.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, mbi hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut janë realizuar rreth 173 mijë fluturime, 12.2 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm gjatë korrikut janë regjistruar rreth 42 mijë fluturime.
“Sistemi ATM është një zgjidhje teknologjike që do të kontribuojë drejtpërdrejt në një nivel më të lartë të sigurisë, besueshmërisë dhe efikasitetit në menaxhimin e trafikut ajror. Me vendosjen e sistemit ATM dhe radarit të ri, hapësira ajrore e Maqedonisë do të mbulohet plotësisht me nivelin më të lartë të kontrollit dhe sigurisë”, tha Nikolloski.
Sipas drejtorit të M-NAV, Vladimir Ristevski, sistemi i ri mundëson kapacitet më të madh, automatizim më të mirë dhe ulje të ngarkesës operative të kontrollorëve të trafikut ajror.
“Me sistemin e ri ATM, para së gjithash e stabilizojmë M-NAV si ofrues të shërbimeve të navigimit ajror dhe sigurojmë një nivel më të lartë të sigurisë dhe vazhdimësisë në ofrimin e shërbimeve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur trafiku ajror përmes hapësirës ajrore maqedonase shënon rritje të jashtëzakonshme”, pohoi Ristevski.
Ndërkohë, sistemi i ri i radarit në kullën e kontrollit të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit është në fazën e testimit. Pritet të vihet në përdorim gjatë shtatorit ose tetorit.

