148 vjet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, gurthemeli i organizimit kombëtar shqiptar

Në këtë 10 qershor, shënohet 148-vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare e Prizrenit (LSHP), ngjarjes që konsiderohet gurthemeli i organizimit politik kombëtar të shqiptarëve.
E themeluar më 10 qershor 1878 në Prizren, Lidhja u krijua në një periudhë vendimtare për fatin e trojeve shqiptare, si përgjigje ndaj rrezikut të copëtimit të tyre pas vendimeve të Kongresit të Berlinit.
Lidhja e Prizrenit, një nga datat më të rëndësishme të kombit shqiptar, për qëllim kishte mbrojtjen e territoreve shqiptare nga aneksimi i shteteve fqinje dhe bashkimin e shqiptarëve në një vilajet autonom.
Formimi i LSHP-ja erdhi pas Traktatit të Shën Stefanit (3 mars 1878), i cili u dha shteteve fqinje shumë toka shqiptare dhe para mbajtjes së Kongresi të Berlinit (qershor 1878).
Lidhja i filloi punimet me 10 qershor 1878 në ‘Xhaminë Bajrakli’ të Prizrenit ku morën pjesë mbi 100 delegatë nga krahina të ndryshme shqiptare.
Kryetar i Kuvendit u zgjodh Iljaz Pashë Dibra.
Organi më i lartë i Lidhjes së Prizrenit ishte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, i cili i kryente funksione legjislative.
Ky organ krijoi një Komitet Kombëtar i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme.
Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri; për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni; dhe, për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi.
Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët.
Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878.
Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane.
Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.
Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tre vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin.
Lidhja zhvilloi shumë aksione luftarak për mbrojtjen e trojeve shqiptare, sidomos kundër Malit të Zi, forcat e të cilit u mposhtën nga ato të Lidhjes.



