Zyrtari ushtarak iranian paralajmëron se rikthimi i konfliktit me SHBA-në është i “mundshëm”

Një zyrtar i lartë ushtarak iranian ka paralajmëruar se një konflikt i ri me SHBA-në është i “mundshëm”, transmeton Anadolu.

Siç raporton agjencia iraniane gjysmëzyrtare Fars, zv/inspektori i shtabit ushtarak, Mohammad Jafar Asadi, tha se “një konflikt i ri midis Iranit dhe SHBA-së është i mundshëm dhe dëshmitë kanë treguar gjithashtu se SHBA-ja nuk i përmbahen asnjë angazhimi apo marrëveshjeje”.

“Aktet dhe deklaratat e zyrtarëve amerikanë janë kryesisht të orientuara nga media, fillimisht për të parandaluar rënien e çmimeve të naftës dhe së dyti për të dalë nga situata që kanë krijuar për veten e tyre”, tha ai.

Asadi gjithashtu tha se forcat e armatosura iraniane janë “plotësisht të përgatitura për çdo aventurizëm të ri apo gabim llogaritjeje nga SHBA-ja”.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani kundër aleatëve amerikanë në Gjirin Persik dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim u shpall më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, i ndjekur nga bisedime në Islamabad më 11 dhe 12 prill, por nuk u arrit marrëveshje.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më vonë e zgjati në mënyrë të njëanshme armëpushimin pa caktuar një afat të ri, me kërkesë të Pakistanit.

Sipas agjencisë zyrtare iraniane IRNA, Irani të enjten i ka paraqitur Pakistanit një propozim të ri për rifillimin e negociatave me SHBA-në, me synimin për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.

Mbetet e paqartë nëse përpjekjet për rifillimin e bisedimeve do të kenë sukses.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button