Ohri më 27 nëntor pret takimin e liderëve të Procesit të Bërdo-Brionit

Më 27 nëntor, në Ohër do të mbahet takimi i liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bërdo-Brionit, transmeton Anadolu.
Takimi mbahet në organizim të presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, së bashku me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, thuhet në një njoftim të Presidencës së Maqedonisë së Veriut.
Procesi Bërdo-Brionit është një nismë rajonale e themeluar në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e bashkëpunimit e stabilitetit rajonal. Në këtë proces marrin pjesë Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Sllovenia, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.
Takimi i fundit i procesit u mbajt në Shqipëri në tetor të vitit të kaluar.



