Transporti falas mbetet i garantuar, NQP sqaron problemet me kartelat digjitale

Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) Shkup e hedh poshtë si të pabazuar atribuimin e përgjegjësisë ndaj ndërmarrjes për të gjitha vështirësitë e raportuara me kartelat digjitale të studentëve, pa u verifikuar rastet individuale.

Kalimi në kartelë digjitale nuk e heq të drejtën për transport falas të studentëve, thekson NQP Shkup në komunikatën e saj.

“NQP vepron ekskluzivisht në bazë të listave zyrtare dhe të verifikuara, të dorëzuara nga personat e autorizuar të përcaktuar nga Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’, Universiteti ‘Nënë Tereza’ dhe universitetet, përkatësisht fakultetet e tjera. Verifikimi i statusit të studentit dhe saktësia e të dhënave të dorëzuara janë në kompetencë të tyre.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar adresa të pasakta të postës elektronike, përpjekje për instalimin e së njëjtës kartelë në dy pajisje, gjë që çon në bllokimin e saj, si dhe përdorim paralel i kartelës digjitale dhe kartelës elektronike. Bllokimi i kartelave të deritanishme shërben edhe për parandalimin e përdorimit të dyfishtë dhe keqpërdorimeve të mundshme”, thekson NQP Shkup.

Sipas NQP-së, numri i ankesave, në vetvete, nuk dëshmon as shkakun dhe as përgjegjësinë për vështirësitë e paraqitura.

“NQP mbetet e gatshme për zgjidhjen e tyre në bashkëpunim me fakultetet dhe pret që ‘Studentaria’ t’i përcjellë plotësisht sqarimet e dorëzuara. Përfundimet lidhur me përgjegjësinë duhet të bazohen në fakte të verifikuara”, thuhet në komunikatë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button