Zyrtari nga Prilepi kapet duke marrë ryshfet

Një zyrtar i punësuar në Qendrën për Punësim në Prilep ka kërkuar ryshfet prej 18.000 denarësh për t’i ndihmuar një banori të fshatit Belo Pole që të mos e humbiste ndihmën sociale, si dhe për ta regjistruar bashkëshorten e tij në listën e personave që kërkojnë punë.

Policia e ka arrestuar dje, në momentin kur po i dorëzoheshin 6.000 denarët e fundit nga ryshfeti i kërkuar.

Sipas Prokurorisë, pasi personi i dëmtuar dhe bashkëshortja e tij, përfitues të ndihmës sociale, më 23 prill kishin marrë mesazh SMS nga Agjencia për Punësim për t’u paraqitur në një trajnim pune, i dyshuari i kishte thënë se nëse ai do ta refuzonte trajnimin, do t’i ndërpritej ndihma sociale.

Për të mos ndodhur kjo, zyrtari dyshohet se i kishte kërkuar atij që t’i jepte gjysmën e ndihmës sociale, përkatësisht nga 6.000 denarë në muaj.

“Gjithashtu, i dyshuari i kishte premtuar se do ta regjistronte bashkëshorten e tij në sistemin elektronik të Agjencisë si kërkuese aktive të punës, edhe pse ajo nuk kishte kartelë kontrolli dhe nuk e kishte dorëzuar atë për verifikim në Qendrën për Punësim”, njoftoi Prokuroria.

Të nesërmen, personi i dëmtuar i kishte dërguar në zyrë 4.000 denarë, ndërsa më pas edhe 2.000 denarë të tjera, dhe kishte vazhduar t’ia paguante shumën çdo muaj.

Gjatë dorëzimit të shumës së fundit prej 6.000 denarësh, më 24 korrik, zyrtarët policorë i kanë gjetur dhe sekuestruar paratë tek i dyshuari, pas së cilës ai është arrestuar menjëherë.

Prokurori publik ka dorëzuar kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prilep për caktimin e masës së paraburgimit.

I dyshuari ndiqet penalisht për veprën “marrje ryshfeti”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button