Çairi nderon Avni Mulën, një rrugë në Shkup merr emrin e kompozitorit shqiptar

Një rrugë në Komunën e Çairit tashmë mban emrin e kompozitorit dhe artistit të njohur shqiptar, Avni Mula. Përurimi u zhvillua në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, ndërsa në ceremoni mori pjesë edhe sopranoja me famë botërore, Inva Mula, vajza e artistit të ndjerë.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, e cilësoi këtë ditë si një moment me simbolikë të veçantë, duke theksuar kontributin e Avni Mulës në zhvillimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare.

“Sot është një ditë me simbolikë të veçantë. Në ditët kur Çairi po jeton me Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës ‘Çarshia’, nuk mund të kishte moment më të përshtatshëm për të përuruar rrugën që, nga sot, do të mbajë emrin e Avni Mulës”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, emërtimi i rrugës përbën një nderim për një prej figurave të rëndësishme të muzikës shqiptare.

“Ky emërtim është një nderim për një personalitet që i dha identitet dhe prestigj kulturës shqiptare. Avni Mula ishte një prej figurave themeluese të muzikës profesioniste shqiptare, një artist që me talentin, punën dhe vizionin e tij e ngriti artin shqiptar në një nivel të ri dhe la pas një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë edhe sot”, tha kryetari i Çairit.

Mexhiti theksoi gjithashtu rolin e kulturës dhe artit në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke vlerësuar se emri i Avni Mulës do të jetë tashmë pjesë e hapësirës publike të Çairit.

“Kultura dhe arti kanë qenë ndër shtyllat që e kanë mbajtur gjallë identitetin tonë kombëtar ndër breza. Prandaj, emri i Avni Mulës do të jetë tashmë pjesë e Çairit, si një nderim i përhershëm për një artist që me veprën e tij i dha identitet dhe prestigj kulturës shqiptare”, u shpreh Mexhiti.

Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe sopranoja Inva Mula, të cilën Mexhiti e cilësoi si një artiste të madhe që vazhdon të përfaqësojë kulturën shqiptare në skenat më prestigjioze ndërkombëtare.

“Është kënaqësi e veçantë që në këtë ceremoni kemi mes nesh edhe sopranon me famë botërore, bijën e Avniut, zonjën Inva Mula. Një artiste e madhe që me punën dhe sukseset e saj, ajo vazhdon ta çojë përpara trashëgiminë artistike të familjes Mula dhe ta përfaqësojë me dinjitet kulturën shqiptare në skenat më prestigjioze të botës”, deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se prania e Inva Mulës i jep ceremonisë një rëndësi të veçantë dhe e lidh simbolikisht trashëgiminë e Avni Mulës me brezin e ri të artit shqiptar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button