Zv/shefja e NATO-s: Samiti në Ankara tregoi vlerën e bashkëpunimit transatlantik në industrinë e mbrojtjes

Zv/sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, ka deklaruar se samiti i NATO-s i mbajtur javën e kaluar në Ankara dëshmoi vlerën e bashkëpunimit transatlantik në industrinë e mbrojtjes, si dhe ka theksuar se projektet e përbashkëta mes kompanive turke, evropiane dhe të Amerikës së Veriut janë kyçe për forcimin e sigurisë së aleancës, transmeton Anadolu.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Komitetit për Siguri dhe Mbrojtje (SEDE) të Parlamentit Evropian dhe delegacionit për marrëdhëniet me NATO-n, Shekerinska tha se bashkëpunimi më i ngushtë industrial do të forcojë si sektorin evropian të mbrojtjes, ashtu edhe bazën më të gjerë industriale të mbrojtjes euroatlantike.

“Kapaciteti i prodhimit industrial nuk është i kënaqshëm, as në Evropë, as në SHBA dhe as në Kanada”, tha Shekerinska, duke shtuar se bashkëpunimi më i ngushtë brenda aleancës është thelbësor për përmbushjen e kërkesave të NATO-s në fushën e kapaciteteve ushtarake.

“Mendoj se në Ankara pamë qartë vlerën e një bashkëpunimi të fortë industrial, i cili do të jetë transatlantik. Ai do ta bëjë më të fortë industrinë evropiane të mbrojtjes, por edhe industrinë tonë euroatlantike në tërësi”, shtoi ajo, duke iu referuar projekteve të suksesshme ku kompani të BE-së bashkëpunojnë me kompani nga Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, SHBA-ja dhe Kanadaja.

Sipas saj, Forumi i Industrisë së Mbrojtjes së NATO-s, i mbajtur paralelisht me samitin, tregoi se sa të integruara janë bërë zinxhirët transatlantik të furnizimit në industrinë e mbrojtjes.

Ajo tha se, megjithëse disa kompani konsiderohen evropiane ose amerikane, shumë prej projekteve të prezantuara në Ankara mbështeten në zinxhirë furnizimi thellësisht të ndërlidhur që shtrihen në të dy anët e Atlantikut.

“Kjo flet fuqishëm në favor të një revolucioni industrial transatlantik, ndaj na duhen më pak barriera, jo më shumë”, u shpreh ajo.

Duke e cilësuar samitin e Ankarasë si “transformues dhe një sukses të jashtëzakonshëm”, Shekerinska tha se aleatët treguan se po i shndërrojnë në veprime konkrete angazhimet e marra në samitin e NATO-s të vitit të kaluar në Hagë.

Shekerinska tha se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen pasqyron një kontribut më të madh të aleatëve evropianë brenda NATO-s dhe mbështet vizionin e aleancës për “një Evropë më të fortë në një NATO më të fortë”.

Ajo shtoi se aleatët evropianë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve të SHBA-së për ndarje më të madhe të barrës, duke theksuar se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen tani duhet të përkthehet në kapacitete konkrete ushtarake përmes një prodhimi më të fuqishëm industrial.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button