Zv/kryeministri Bekim Sali: Shkëlzen Doli ambasador i shkëlqyer i kulturës shqiptare në botë

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka marrë pjesë sonte në një mbrëmje artistike në Filharmonia e Maqedonisë së Veriut në Shkup, ku performoi violinisti me famë botërore Shkëlzen Doli.
Sali theksoi se koncerti ishte një përjetim i veçantë artistik dhe emocional, duke vlerësuar lart interpretimin e violinistit shqiptar, i cili sipas tij, ka performuar në skenat dhe sallat më prestigjioze të muzikës klasike në botë.
“Patëm kënaqësi të jemi pjesë e një mbrëmjeje të jashtëzakonshme në Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut në Shkup, ku me interpretimin të jashtëzakonshëm na nderoi violinisti ynë me famë botërore, Shkëlzen Doli”, deklaroi Sali.
Ai shtoi se koncerti u karakterizua nga emocione, elegancë artistike dhe krenari e veçantë, ndërsa tingujt e violinës “mbushën sallën me magji dhe ndjenja që vështirë përshkruhen me fjalë”.
Sipas zv/kryeministrit të parë, fakti që violinisti performoi para publikut në Shkup, pas paraqitjeve në skenat më të mëdha botërore, e bëri mbrëmjen edhe më të veçantë.
“Arti i tij nuk njeh kufij. Ai mbetet një ambasador i shkëlqyer i kulturës shqiptare në botë dhe një frymëzim për çdo shqiptar dhe dashamir të artit muzikor”, u shpreh Sali.



