Zgjerohet funksioni i “Safe City”, sistemi do të ndëshkojë edhe parkimin e gabuar

Sistemi “Safe City” do të zgjerohet me funksionalitete të reja dhe në periudhën e ardhshme do të përfshijë një numër më të madh shkeljesh të trafikut, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke theksuar se qëllimi kryesor është përmirësimi i sigurisë në komunikacion dhe kontroll më efikas i shkelësve, përcjell TV21. Sipas Toshkovskit, sistemi tashmë nuk kufizohet vetëm në zbulimin e shpejtësisë së madhe, por përdoret edhe për identifikimin e llojeve të tjera të shkeljeve.
“Dhe tani konstatojmë një numër më të madh shkeljesh. Nuk është vetëm shpejtësia, por edhe ndryshimi i gabuar i korsisë, kthimi i gabuar dhe kalimi në semafor të kuq”, tha Toshkovski.
Ai shtoi se në periudhën e ardhshme është planifikuar përmirësim i mëtejshëm i sistemit, me ç’rast do të zgjerohet automatikisht lista e shkeljeve që mund të regjistrohen. Një nga fazat e para, siç njoftoi ai, do të jetë edhe vendosja e ndëshkimeve për parkim të gabuar.
“Në pjesën e parkimit të gabuar, kjo do të jetë një nga fazat e para që do të implementohet”, deklaroi ministri.
Si fazë e parë e zbatimit të sistemit të zgjeruar, ministri përmendi rrugët kryesore të kryeqytetit.
“Synimi i parë për implementim, pra për detektim, do të jenë arteriet kryesore të qytetit të Shkupit, pra bulevardet”, shtoi Toshkovski.



