Prindërit do të paguajnë gjobë 250 euro nëse fëmija i tyre ushtron dhunë në shkollë

Dhuna në shkolla nuk do të përfundojë më vetëm me masa pedagogjike dhe vërejtje. Qeveria po përgatit ndryshime ligjore me të cilat përgjegjësi të drejtpërdrejtë do të mbajnë edhe prindërit, përmes gjobave prej 250 eurosh për çdo rast të sjelljes së dhunshme të kryer nga fëmija i tyre.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, konfirmoi sot se ndryshimet në Ligjin për Arsimin Fillor ndodhen në fazën përfundimtare dhe tashmë po harmonizohen në Kuvend.
Sipas saj, sanksioni nuk do të zbatohet vetëm kur nxënësi kryen dhunë, por edhe në rastet kur prindërit refuzojnë komunikimin dhe bashkëpunimin me shkollat, shërbimet profesionale apo institucionet.
“Mbetet në fuqi gjoba prej 250 eurosh për çdo akt dhune të kryer nga fëmija, ku do të ndëshkohet prindi, por edhe kur prindi refuzon të bashkëpunojë me shkollën dhe institucionet e tjera”, deklaroi Janevska, duke shtuar se sekretari shtetëror tashmë po punon me deputetët për finalizimin e zgjidhjeve ligjore.
Propozim-ndryshimet vijnë në një periudhë shqetësimi të madh publik pas një sërë incidentesh të rënda mes nxënësve. Veçanërisht tronditës ishte rasti në lagjen Çento në Skopje, ku një nxënës i klasës së nëntë u ther me thikë nga një ish-nxënës dhe po lufton për jetën.
Reagime të shumta shkaktoi edhe rasti i dhunës në Gjorçe Petrov, ku një grup nxënëse të klasës së nëntë sulmuan brutalisht një nxënëse të klasës së gjashtë.
Nga Ministria vlerësojnë se mekanizmat e deritanishëm nuk kanë dhënë rezultatet e pritura dhe se nevojitet një politikë më e ashpër, e cila do të përfshijë edhe përgjegjësinë e familjes.
Sipas paralajmërimeve, ndryshimet e reja duhet të dërgojnë një mesazh të qartë se injorimi i problemit ose shmangia e bashkëpunimit nuk do të kalojë më pa pasoja.



