Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali: Reformat maten me rezultate konkrete – ekspertizë më e shpejtë për zbatimin e Agjendës së Reformave

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, prezantoi Strategic Priorities Expertise Facility (PREF), një mekanizëm i propozuar nga Kombet e Bashkuara që synon t’u mundësojë institucioneve qasje më të shpejtë në ekspertizë të specializuar kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatimin e Agjendës së Reformave.
Gjatë prezantimit, Sali theksoi se ekspertiza përbën një mbështetje të rëndësishme për institucionet, por përgjegjësia për përcaktimin e prioriteteve, udhëheqjen e procesit dhe zbatimin e rezultateve mbetet tek institucionet vendore.
Ai nënvizoi se qëllimi është realizimi në kohë i reformave, funksionalizimi më i mirë i institucioneve dhe krijimi i rezultateve konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Sipas Saliut, zbatimi efektiv i reformave do të kontribuojë edhe në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe avancimin e vendit drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.




