Zëvendëskryeministri i Kosovës, Damka: Turqia ka rol konstruktiv në Ballkan

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fikrim Damka tha se rajoni i Ballkanit është një zonë e ndjeshme, pasi është një rajon ku janë Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Kosova.

“Prandaj, brenda këtij rajoni gjithmonë mund të krijohet një ambient që mund të shndërrohet në krizë. Për këtë arsye Turqia gjithmonë ka rol konstruktiv me liderët këtu. Falë marrëdhënieve të ngushta miqësore të presidentëve tanë, ministrave të jashtëm dhe ministrave, sot në Ballkan nuk ka krizë”, tha Damka.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Damka, iu përgjigj pyetjeve të Anadolu-t në Antalya, në margjinat e Forumit të 5-të të Diplomacisë në Antalya (ADF).

Duke rikujtuar se Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur Kosovën, Damka tha se të gjitha institucionet e Turqisë kanë marrëdhënie shumë të mira me Kosovën.

“Kur flasim për marrëdhëniet mes dy vendeve, duket sikur flasim për marrëdhëniet mes dy vendeve vëllazërore”, tha Damka duke shtuar se në Turqi jeton një numër i madh i kosovarëve ndërsa në Kosovë jetojnë shtetas turq dhe bashkëkombës turq.

Duke nënvizuar se kohët e fundit marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës janë përqendruar në dy fusha kryesore, Damka tha se njëra prej tyre është industria e mbrojtjes ndërsa tjetra janë marrëdhëniet ekonomike.

“Marrëdhëniet tona në industrinë e mbrojtjes tregojnë shembuj konkretë. Një prej tyre është fabrika e municionit që do të ndërtohet në Kosovë në bashkëpunim me industrinë e makinerisë dhe kimisë. Po ashtu, të gjitha bashkëpunimet tona në industrinë e mbrojtjes janë intensifikuar në këtë periudhë”, tha Damka.

Ai tha se mes dy vendeve ka marrëdhënie edhe në fushat ekonomike, kulturore dhe sportive.

Duke theksuar se kjo është pjesëmarrja e tij e pestë në ADF, Damka u shpreh: “ADF po rritet çdo ditë e më shumë dhe po bëhet një qendër e rëndësishme. Në fakt, po bëhet një qendër e diplomacisë. Zhvillohen takime të mira dhe krahas tyre, kemi mundësi të shohim liderë që japin deklarata të rëndësishme. Këto do të na hapin horizontin, do të zhvillojnë bashkëpunimin tonë dhe, duke u takuar me ministra nga vende të ndryshme, ne mund ta prezantojmë Kosovën dhe të ndërmarrim hapa për të zhvilluar marrëdhëniet”.

Damka përgëzoi dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e forumit. Ai edhe një herë tha se rajoni i Ballkanit është i ndjeshëm.

“Është një rajon ku janë Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Kosova. Prandaj, brenda këtij rajoni gjithmonë mund të krijohet një ambient që mund të shndërrohet në krizë. Për këtë arsye Turqia gjithmonë ka rol konstruktiv me liderët këtu. Falë marrëdhënieve të ngushta miqësore të presidentëve tanë, ministrave të jashtëm dhe ministrave, sot në Ballkan nuk ka krizë. Për të mos ndodhur kjo, diplomacia e Turqisë gjithmonë bën përpjekje. Besoj se ky rol konstruktiv i Turqisë në Ballkan do të vazhdojë. Hapat që Turqia ka ndërmarrë për të ruajtur stabilitetin janë të shkëlqyer për ne”, tha Damka.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button