Zekerija Berisha: Garazha në kate në Çairçanë nuk është propozim, por projekt tashmë i planifikuar

Këshilltari në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha, ka reaguar ndaj përpjekjeve që, siç thotë ai, projekti për ndërtimin e një garazhe shumëkatëshe në Çairçanë të paraqitet si një “propozim” i ri.
Sipas Berishës, Komuna e Çairit tashmë e ka planifikuar konkretisht këtë projekt. Me ndryshimin e Planit Detal Urbanistik, në PK 2054/1, KK Qendër 1, është paraparë ndërtimi i një garazhe shumëkatëshe me strukturë P+4, ndërsa parcela është përfshirë edhe në Programin për menaxhimin me tokën ndërtimore për vitin 2026.
Projekti arkitektonik tashmë është përpiluar dhe parashikon një nivel nëntokësor, përdhesë dhe katër kate, me një sipërfaqe prej rreth 6.000 metrash katrorë dhe rreth 120 vende parkimi në të gjitha nivelet.
Berisha njofton se ka filluar edhe përgatitja e Projektit Kryesor, pas të cilit do të përcaktohet kostoja përfundimtare e realizimit.
Sipas tij, derisa disa sot dalin me “propozime”, Komuna e Çairit tashmë ka plan, projekt dhe procedura konkrete për realizimin e garazhës së shumëkatëshe në Çairçanë.
“Qytetarëve u duhen projekte të realizueshme, jo gara se kush do ta përvetësojë i pari një ide tashmë të planifikuar”, është mesazhi i këshilltarit komunal në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha.



