Zbulohen vrasësit e të riut nga Batinca

Prokuroria ka filluar hetimin për vrasjen e para një muaji në Batincë të Shkupit ku nga breshëria e plumbave të dy personave kishte vdekur një 34 vjeçar, dhe shoqëruesi i tij 31 vjeç kishte mbetur i lënduar rëndë, raporton Alfax..
“Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese kundër dy personave të cilët dyshohet se kanë kryer vepër penale së bashku – Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 3, si dhe – Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese në pajtim me nenin 396 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 3 të Kodit Penal”, njofton Prokuroria, përcjellë Alfax.
Sipas prokurorisë, dy banorët e Batincës fillimisht ishin armatosur mirë dhe kishin planifikuar vrasjen dhe kjo dëshmohet me faktin se pas krimit e kishin djegur makinën e tyre që ishte me targa të huaja.
“Më 1 korrik, dy banorët e Batincës, në një veturë me targa të huaja, kanë mbajtur në mënyrë të paligjshme tre pushkë automatike, mbajtja e të cilave është plotësisht e ndaluar për qytetarët. Me automjetin e tyre kanë prerë rrugën e një makine tjetër me dy persona, kanë dalë dhe kanë nisur menjëherë të qëllojnë. Njërit prej viktimave i është marrë jeta, ndërsa tjetri është vënë në rrezik dhe i janë shkaktuar lëndime fizike, pas çka të dyshuarit i kanë vënë zjarrin veturës së tyre në afërsi të fshatit Draçevicë dhe kanë ikur”, shpjegon Prokuroria.
Dy të dyshuarit janë në arrati, por policia ka lëshuar fletëarrest dhe në momentin e kapjes do të dërgohen në paraburgim.Alfax