WSJ: Izraeli përdori gjerësisht palestinezët si mburoja njerëzore në Gaza

Ushtarët izraelitë kanë përdorur gjerësisht civilët palestinezë si mburoja njerëzore në njësi të ndryshme ushtarake gjatë luftës në Rripin e Gazës, me inkurajimin e komandantëve, raportoi të premten gazeta The Wall Street Journal (WSJ), transmeton Anadolu.

Bazuar në intervista me ushtarë, gjetjet e gazetës konfirmuan një raportim investigativ të transmetuar të mërkurën në mbrëmje në programin Zman Emet të transmetuesit publik izraelit Kan 11, në të cilin ushtarë dhe oficerë të identifikuar treguan se kishin përdorur palestinezë për të kontrolluar tunelet dhe ndërtesat, në kushtet e mungesës së dronëve dhe qenve të njësisë ushtarake Oketz.

Ushtarët i kanë thënë WSJ-së se kjo praktikë, e quajtur “protokolli i mushkonjës”, përfshinte rastin e një të riu palestinez me aftësi të kufizuara të dukshme mendore, të rrahur dhe me sy të lidhur, të cilin ushtarët e mbajtën në Shuxhaije gjatë verës së vitit 2024 për të kontrolluar dollapët dhe dyshekët për eksplozivë, përpara se ta linin të lirë në një zonë ku po zhvilloheshin luftime. Një tjetër ushtar ka parë se si trupat izraelite kishin detyruar një palestinez të hynte në ndërtesa në Xhabalia në nëntor 2024.

“Kur pyetëm nëse mund të kishim dy qen, komandantët thanë jo, por do të keni një mushkonjë. Ai qau pak. Ishte e qartë se nuk ishte pjesëtar i Hamasit”, i ka thënë gazetës ushtari i parë.

Një zyrtar ushtarak izraelit i ka thënë WSJ-së se autoritetet po hetojnë dhjetë raste të dyshuara të përdorimit të mburojave njerëzore në Gaza dhe gjashtë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

– Kritikat ndaj ushtrisë mbeten “tabu”

Gazeta vuri në dukje se këto zbulime shkaktuan reagime nacionaliste në Izrael, ku zyrtarë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, dhe liderin e opozitës, Avigdor Lieberman, i cili e quajti raportimin “akuzë gjaku”, u përpoqën të pengonin transmetimin e emisionit në Kan 11, nga frika se ai do të dëmtonte reputacionin dhe sigurinë e Izraelit, si dhe pozitën ligjore të ushtarëve të tij jashtë vendit. Megjithatë, Gjykata e Lartë e Izraelit hodhi poshtë kërkesën për ndalimin e transmetimit.

Disa shikues e cilësuan emisionin “të barasvlershëm me tradhti”, ndërsa rezervisti Ben Yaakov Sabo paralajmëroi televizionin izraelit Kanali 14 se ndalimi i kësaj praktike “do të kushtojë shumë jetë”.

Gjithsej 113 rezervistë luftarakë, oficerë dhe komandantë i kërkuan Kanit, përmes një letre, që ta transmetonte emisionin.

“Ne si ushtarë luftarakë nuk kemi nevojë për mbrojtje nga e vërteta. Në fakt, janë gënjeshtrat dhe mbulimi i së vërtetës ato që na vënë në rrezik”, thuhej në letër, sipas gazetës.

Reagimet e shumta tregojnë se kritikat ndaj ushtrisë mbeten “tabu në shoqërinë izraelite”, ka thënë për WSJ-në Ayala Panievsky, studiuese e medias në City St George’s, Universiteti i Londrës.

Në shtator, kryeministri Benjamin Netanyahu kërcënoi se do t’ua revokonte shtetësinë kineastëve izraelitë për shkak të dokumentarit Naza, të shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, i cili trajton vrasjen e civilëve në Rripin e Gazës nga Izraeli.

Lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza, që nga tetori i vitit 2023, ka lënë të vrarë rreth 75.000 palestinezë dhe mbi 176.000 të plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës së enklavës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button