“25 vjet pritje janë mjaft!” – Shasivari paralajmëron zgjidhje për provimin e jurisprudencës në shqip

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka deklaruar se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, e cila ka mbetur e pazgjidhur për më shumë se dy dekada, tashmë ka hyrë në një proces konkret institucional, transparent dhe të mbështetur në argumente juridike.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Shasivari ka bërë të ditur se kjo temë nuk është më vetëm premtim apo debat politik, duke mirëpritur qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski për vazhdimin e procesit dhe pritjen e mendimit të Komisionit të Venecias.
“Si Ministër i Drejtësisë, jam i përkushtuar që të gjejmë një zgjidhje ligjore, kushtetuese dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet evropiane”, ka shkruar Shasivari.
Ai ka nënvizuar se nuk kërkohen privilegje, por barazi në mundësi, dinjitet në trajtim dhe respektim të standardeve profesionale. Sipas tij, një çështje që ka pritur 25 vjet meriton zgjidhje, e jo edhe 25 vjet të tjera pritje.



