Dy pjesëtarë të organizatës Mjekët pa Kufij vriten në një sulm izraelit ndaj një klinike në Gaza

Organizata Mjekët pa Kufij (MSF) tha se dy pjesëtarë të saj, të dy roje sigurie, u vranë të premten vonë në një sulm izraelit ndaj njërës prej klinikave të saj në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një postim në platformën sociale amerikane X, organizata humanitare tha se është “thellësisht e pikëlluar dhe e indinjuar” nga vdekja e tyre, duke e cilësuar incidentin si “sulm të drejtpërdrejtë ndaj MSF-së”. Ajo tha se gjithsej 17 pjesëtarë të saj janë vrarë në Gaza.

Organizata theksoi se qendrat e saj shëndetësore ishin qartësisht të identifikueshme përmes logos së saj dhe se koordinatat e tyre ia kishte përcjellë ushtrisë izraelite, e cila ishte në dijeni për vendndodhjen e tyre.

“Shprehim solidaritetin tonë me familjet dhe të afërmit e kolegëve tanë”, tha organizata, duke shtuar se “autoritetet izraelite duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Shtatë palestinezë u vranë dhe disa të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë, u plagosën të premten në sulmet izraelite në Gaza, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit që është në fuqi që nga tetori i vitit 2025, thanë burime mjekësore.

Në sulmin e fundit, dy palestinezë u vranë në një goditje izraelite që kishte në shënjestër një grumbullim civilësh pranë zyrës së Mjekëve pa Kufij, ngjitur me Spitalin Al-Shifa në pjesën perëndimore të Qytetit të Gazës, thanë burime mjekësore për Anadolu.

Shkeljet izraelite të marrëveshjes së armëpushimit kanë shkaktuar vdekjen e 1.705 palestinezëve dhe plagosjen e 6.163 të tjerëve që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes deri të enjten, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Izraeli dhe grupi palestinez i rezistencës Hamas arritën një marrëveshje armëpushimi në tetor të vitit 2025, në kuadër të një plani të mbështetur nga SHBA-ja, por zbatimi i dispozitave të mbetura të saj ka ngecur. Izraeli vazhdon të kontrollojë 70 për qind të Gazës.

Lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza, që nga tetori i vitit 2023, ka lënë të vrarë rreth 75.000 palestinezë dhe mbi 176.000 të plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës së enklavës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button