WhatsApp thotë se përdoruesit e saj janë shënjestruar nga kompania izraelite e spiunazhit Paragon

Një zyrtar i shërbimit të njohur të bisedave WhatsApp të kompanisë Meta ka deklaruar se kompania izraelite e spiunazhit Paragon Solutions ka shënjestruar 90 përdorues të saj, përfshirë gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Zyrtari i tha agjencisë së lajmeve Reuters të premten se WhatsApp i kishte dërguar Paragon-it një letër për ndërprerje dhe heqje dorë nga sulmi kibernetik.
Ai nuk pranoi të specifikojë se kush ishte shënjestruar, por konfirmoi se WhatsApp po i referon viktimat grupit kanadez të mbikëqyrjes në internet, Citizen Lab.
Zyrtari nuk dha detaje mbi mënyrën se si WhatsApp arriti në përfundimin se Paragon ishte përgjegjës për shkeljen. Ai shtoi se organet e zbatimit të ligjit dhe partnerët e industrisë ishin informuar, por nuk dha më shumë detaje.
Në një deklaratë, WhatsApp tha se kompania “do të vazhdojë të mbrojë aftësinë e njerëzve për të komunikuar në mënyrë private”.
WhatsApp i tha gjithashtu gazetës britanike “The Guardian” se kishte “besim të lartë” se përdoruesit e prekur ishin shënjestruar dhe “mundësisht komprometuar”.
Paragon refuzoi të komentojë.
John Scott-Railton, studiues në Citizen Lab, i tha Reuters-it se zbulimi i spiunazhit të Paragon që shënjestron përdoruesit e WhatsApp “është një kujtesë se softuerët mercenarë të spiunazhit vazhdojnë të përhapen dhe, si pasojë, ne vazhdojmë të shohim modele të njohura të keqpërdorimit problematik”.
Paragon shet softuerë të avancuar të mbikëqyrjes për klientë qeveritarë. Ata zakonisht reklamojnë shërbimet e tyre si thelbësore për luftimin e krimit dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare. /Al Jazeera/