Vuçiq cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme

Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor, deklaroi të enjten presidenti Aleksandar Vuçiç
“Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 18 ose 25 tetor. Data e saktë do të bëhet e ditur në ditët e ardhshme”, tha Vuçiç gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi fillimisht ishin parashikuar të zhvilloheshin në dhjetor të vitit 2027.
“Në njërën listë do të jetë Partia Progresive Serbe në pushtet me listën e saj, ndërsa në tjetrën të gjitha alternativat e tjera politike”, tha ai.
Më 27 qershor, Vuçiç deklaroi se do të jepte dorëheqjen brenda disa javësh dhe se vendi do të zhvillonte zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale, pas 18 muajsh protestash kundër qeverisë.
Kjo është hera e parë që presidenti serb jep data të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve.
Njoftimi i Vuçiçit, i cili ka qenë në pushtet si president ose kryeministër për 12 vjet, vjen pas më shumë se një viti protestash kundër korrupsionit, të udhëhequra nga studentët.
Protestat nisën pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit 2024, ngjarje në të cilën humbën jetën 16 persona.
Gjatë transmetimit televiziv, Vuçiç nuk bëri të ditur se kur do të jepte dorëheqjen për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme presidenciale.
Analistët thonë se Vuçiç mund të bëhet kryeministër nëse Partia Progresive Serbe fiton zgjedhjet parlamentare.
Një skenar i tillë do të vazhdonte tendencën shumëvjeçare sipas së cilës pushteti politik në Serbi është përqendruar rreth Vuçiçit, pavarësisht postit që ai mban.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por Beogradi vazhdon të ketë lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën.
Kjo është një linjë ekuilibri që Vuçiç është përpjekur të ndjekë gjatë gjithë periudhës së tij në pushtet.
Përpara anëtarësimit në BE, Serbia duhet të përmirësojë sundimin e ligjit, përfshirë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
BE-ja ka deklaruar prej vitesh gjithashtu se Beogradi duhet ta përafrojë politikën e tij të jashtme me atë të bllokut evropian.
Përfaqësues të opozitës kanë akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsion të përhapur, lidhje me krimin e organizuar dhe kufizim të lirisë së medias. Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë këto akuza.



