Reagon zv/ministri i Mbrojtjes, Admir Shabani: Për përfaqësimin nuk flitet vetëm me shifra, por punohet me masa konkrete

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka reaguar pas kritikave për listën preliminare të kandidatëve për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake, duke theksuar se procedura ende nuk ka përfunduar dhe se në konkurs kanë aplikuar vetëm dy kandidatë shqiptarë.
Shabani tha se bëhet fjalë për një listë preliminare dhe jo përfundimtare, ndaj, sipas tij, është e parakohshme që të nxirren përfundime politike për rezultatin e konkursit.
“As Ministria e Mbrojtjes, as Zëvendësministri dhe as ndonjë strukturë politike nuk mund të krijojnë në mënyrë administrative kandidatë nëse nuk ekziston numër i mjaftueshëm i të rinjve të interesuar që aplikojnë dhe i plotësojnë kushtet e përcaktuara në konkurs”, deklaroi Shabani.
Ai theksoi se promovimi i konkursit është bërë në forma të ndryshme, me synim rritjen e interesimit të të rinjve shqiptarë për sistemin e mbrojtjes.
Sipas tij, problemi kryesor nuk është vetëm numri i shqiptarëve në listën preliminare, por interesimi i ulët i të rinjve për profesionin ushtarak.
“Duhet të analizojmë seriozisht pse interesimi i të rinjve për profesionin ushtarak është i ulët, si mund ta bëjmë këtë profesion më tërheqës dhe si mund t’i informojmë dhe motivojmë më mirë të rinjtë”, tha ai.
Shabani paralajmëroi se Ministria do të intensifikojë promovimin e Akademisë Ushtarake, informimin për konkurset dhe komunikimin me kandidatët potencialë, me synimin që në gjeneratat e ardhshme të ketë më shumë kandidatë shqiptarë.
Duke iu përgjigjur kritikave politike, ai tha se përfaqësimi i shqiptarëve nuk duhet të trajtohet vetëm kur publikohet një listë.
“Nuk do të premtojmë vetëm shifra në letër. Do të krijojmë mundësi, do të motivojmë të rinjtë dhe do të punojmë për rezultate konkrete që do të shihen në gjeneratat që vijnë”, përfundoi Shabani.



