Volkswagen do të shkurtojë 50 mijë vende pune, kompania pranon: Modeli ynë nuk funksionon më

Gjigandi gjerman i automobilave Volkswagen ka bërë të ditur se do të shkurtojë 50 mijë vende pune deri në vitin 2030, në kuadër të një strategjie të re ristrukturimi që synon ta përshtatë kompaninë me sfidat e tregut global.

Lajmi u konfirmua nga drejtori ekzekutiv i kompanisë, Oliver Blume, gjatë mbledhjes së përgjithshme vjetore të aksionarëve, e zhvilluar online. Ai e cilësoi situatën aktuale të Volkswagen si “të tensionuar dhe sfiduese”, duke theksuar se kushtet në industrinë automobilistike janë përkeqësuar më tej gjatë vitit 2026.

“Modeli ynë i biznesit, i cili ka qenë i suksesshëm për dekada, nuk funksionon më sot. Ne duhet ta zhvillojmë më tej”, deklaroi Blume para aksionarëve.

Gjatë prezantimit të strategjisë së re për vitin 2030, kreu i Volkswagen tha se objektivi i kompanisë është të shndërrohet në “prodhuesin më tërheqës të makinave në botë” deri në fund të kësaj dekade.

Sipas tij, modelet e reja elektrike, përfshirë ID.Polo të prezantuar së fundmi, dëshmojnë se kompania po ecën në drejtimin e duhur dhe po fiton terren ndaj konkurrencës. Megjithatë, ai pranoi se fitimet nga këto modele mbeten ende nën pritshmëritë.

Plani i ristrukturimit prek veçanërisht markën kryesore VW, ku pritet të shkurtohen 35 mijë vende pune deri në vitin 2030. Blume bëri të ditur se deri në fund të vitit 2026 numri i të punësuarve do të reduktohet me rreth 19 mijë persona, ndërsa rreth 28 mijë largime vullnetare janë dakordësuar tashmë me punonjësit.

Volkswagen po përballet me presionin e rritjes së konkurrencës në tregun e automjeteve elektrike, kostot e larta të prodhimit dhe ndryshimet e shpejta në industrinë globale të automobilave, duke e detyruar kompaninë të ndërmarrë një nga ristrukturimet më të mëdha në historinë e saj.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button