VLEN: Për 14 jetët e humbura nuk mund të përgjigjet “kablloja”

Sakrifikimi i vetëdijshëm i përgjegjësisë penale për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë përbën një riviktimizim të 14 viktimave, të dinjitetit të tyre dhe të dhimbjes së familjarëve.
Ali Ahmeti dhe Prokuroria e drejtuar nga Islam Abazi i detyrohen publikut një përgjigje: si është e mundur që pas 14 jetëve të humbura, në fund të dalë se “fajtor” është kablloja?
Ky rast rrezikon të mbetet një nga shembujt më të turpshëm të papërgjegjshmërisë institucionale dhe të një drejtësie të kapur.
Drejtësia nuk mund të varet nga ndikimi politik, përkatësia partiake apo funksioni i askujt. Kur për një tragjedi me 14 viktima nuk ka përgjegjësi të plotë dhe të paanshme, nuk kemi të bëjmë vetëm me dështimin e një aktakuze, por me një humbje të rëndë të të gjithë sistemit të drejtësisë.
Ky epilog skandaloz është barrë mbi udhëhëqësinë e pareformuar të BDI-së, i cili edhe një herë dëshmon se shqiptarët i përdor si alibi perfekte për obsesionin e tij me pushtetin – pushtet që për ta nënkupton privilegje, tenderë dhe kolltuqe, e jo përgjegjësi para qytetarëve.
Për BDI-në, duket se 14 jetët njerëzore janë vetëm statistikë. Por për familjet e viktimave ato janë jetë të pazëvendësueshme, ndërsa për gjithë shoqërinë janë një detyrim që e vërteta të zbardhet dhe drejtësia të vihet në vend.
VLEN nuk do të lejojë që tragjedia e Tetovës të harrohet dhe as që përgjegjësia të varroset në labirintet e prokurorisë dhe gjykatave.
Do të vazhdojmë të kërkojmë hetim të pavarur, përgjegjësi të paanshme dhe drejtësi për secilën prej 14 jetëve të humbura.
Ndëshkimi politik për këtë papërgjegjshmëri do të vijë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të mbahen.
Shqiptarët po nisen për drejtësinë e tyre.



