VLEN: Pas 23 vitesh stagnim, decentralizimi përfundimisht po realizohet
Koalicioni VLEN e ka përshëndetur nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit dhe Mirëkuptimit midis Qeverisë dhe Shoqatës së Komunave – Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale. Zëdhënësi i koalicionit, Fari Iseni, tha se ky Memorandum është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të decentralizimit dhe zhvillimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale. Sipas VLEN, kjo do të ndihmojë në adresimin e nevojave reale të komunave dhe në përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës në menaxhimin e resurseve publike.
Ja dhe reagimi i plotë:
Pas 23 vitesh stagnim, decentralizimi përfundimisht po realizohet. Sot dëshirojmë të shprehim
kënaqësinë tonë për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit dhe Mirëkuptimit midis
Qeverisë dhe Shoqatës së Komunave – Bashkimi i Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të
Republikës së Maqedonisë së Veriut (BNJVL). Ky Memorandum është një hap i rëndësishëm
drejt forcimit të decentralizimit dhe zhvillimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale në vendin tonë.
Koalicioni VLEN ka qenë gjithmonë një mbështetës i fuqishëm i procesit të decentralizimit,
duke e parë atë si një nga shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës. Ne besojmë se
decentralizimi i thellë dhe efektiv është çelësi për forcimin e demokracisë lokale dhe
përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Memorandumi, i cili paraqet një angazhim të
përbashkët për transferimin e kompetencave dhe resurseve më të mëdha në nivelet lokale të
qeverisjes, është një dëshmi e qartë e angazhimit tonë për arritjen e këtij qëllimi.
Ne e mirëpresim vendimin për krijimin e një programi vjetor të aktiviteteve prioritare dhe
formimin e komisioneve të përbashkëta që do të përfshijnë ekspertë të jashtëm dhe përfaqësues
të administratës. Kјо qasje inkluzive dhe analitike do të ndihmojë në adresimin e nevojave reale
të komunave dhe do të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës në
menaxhimin e resurseve publike.
Një element kyç i Memorandumit është angazhimi për sigurimin e më shumë fondeve buxhetore
për komunat, të bazuara në të ardhurat nga taksat dhe TVSH. Koalicioni VLEN e mbështet
fuqishëm këtë strategji dhe e sheh atë si një mundësi për forcimin e njësive të vetëqeverisjes
lokale dhe ndihmën në zhvillimin e projekteve kapitale investuese që do të përmirësojnë
infrastrukturën dhe cilësinë e jetës për qytetarët tanë.
Për më tepër, jemi të kënaqur që ky Memorandum përfshin angazhimin për konsultime me
BNJVL-në në lidhje me të gjitha ndryshimet e mundshme në rregulloret për planifikimin
urbanistik dhe ndërtimin. Kjo do të sigurojë që proceset e ndryshimeve ligjore dhe rregullatore të
jenë në harmoni me nevojat dhe realitetet e mjediseve lokale.
Koalicioni VLEN do të vazhdojë të mbështesë dhe të ndjekë zbatimin e këtij Memorandumi me
kujdes dhe përkushtim. Ne jemi të sigurt se përmes kësaj bashkëpunimi të ngushtë dhe të
sinqertë, do të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes
në Republikën e Maqedonisë së Veriut.