VLEN NJË: Fillon një kapitull i ri në politikën shqiptare

Koalicioni VLEN ka paralajmëruar se më 9 maj, në Ditën e Evropës, do të realizohet bashkimi i tij në një subjekt të vetëm politik, duke e cilësuar këtë proces si “unifikimin më të madh shqiptar në vend”.
Në njoftimin e publikuar, VLEN thekson se ky proces synon t’i japë fund fragmentimit politik shqiptar dhe të krijojë një forcë të vetme me drejtim dhe mision të përbashkët.
“Më 9 Maj, në Ditën e Evropës, VLEN nuk do të jetë më vetëm bashkim subjektesh. VLEN do të bëhet një forcë e vetme, me një emër, një drejtim dhe një mision”, thuhet në komunikatë.
Sipas VLEN-it, bashkimi do të formalizohet nën sloganin “VLEN NJË”, ku 850 delegatë pritet të vulosin procesin politik të bashkimit të pesë subjekteve në një trup të vetëm.
“Ky është momenti që e mbyll kohën e fragmentimit politik shqiptar. Për vite me radhë shqiptarëve u është shitur përçarja si pluralizëm, ndërsa interesi personal si patriotizëm. Kjo kohë po merr fund”, thekson koalicioni.
Në reagim thuhet gjithashtu se zgjedhja e 9 majit nuk është rastësore, pasi kjo datë simbolizon bashkimin dhe vlerat evropiane.
“Nëntë maji nuk është zgjedhur pa arsye. Është Dita e Evropës, dita që simbolizon bashkimin si vlerë. Dhe pikërisht këtë vlerë VLEN po e kthen në shprehje politike shqiptare”, thuhet më tej në komunikatë.
VLEN vlerëson se ky proces përfaqëson një moment të rëndësishëm për shqiptarët që kërkojnë “drejtim, përgjegjësi dhe përfaqësim të ndershëm”, ndërsa mesazhin e mbyll me sloganin: “VLEN NJË. VLEN po vjen.”



