VLEN merr tri ministri të reja strategjike, Mexhiti: Drejtësia, Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive dhe Kultura do të avancojnë pozitën e shqiptarëve

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se koalicioni do të udhëheqë me tri ministri të reja strategjike – Drejtësinë, Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive dhe Kulturën – duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Mexhitit, në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit po hapet një kapitull i ri i qeverisjes, i bazuar në barazi, drejtësi dhe përgjegjësi.
Ai theksoi se marrja e Ministrisë së Drejtësisë nënkupton përgjegjësi për reforma të thella në sistemin e drejtësisë, rikthimin e besimit të qytetarëve te gjyqësori dhe institucionet, garantimin e zbatimit të plotë të të drejtave kushtetuese e gjuhësore që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, si dhe trajtimin e drejtë të rasteve të montuara politikisht.
Duke folur për Ministrinë e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Mexhiti tha se ky resor mishëron frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe duhet të garantojë avancimin e barazisë, respektimin e të drejtave kolektive, dialogun ndërmjet komuniteteve dhe zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë e adekuat. Sipas tij, forcimi i kësaj ministrie nënkupton forcim të kohezionit shoqëror, stabilitetit institucional dhe karakterit multietnik të shtetit.
Sa i përket Kulturës, ai njoftoi se gjatë këtij viti jubilar do të ketë më shumë investime në projekte dhe programe kulturore që promovojnë karakterin multietnik të shtetit dhe forcojnë identitetin kulturor të shqiptarëve.
Mexhiti theksoi se, së bashku me resorët e Çështjeve Evropiane, Ekonomisë dhe Mjedisit Jetësor, këto përgjegjësi do të kontribuojnë në forcimin e modelit konsensual të demokracisë multietnike dhe në përshpejtimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, me shqiptarët si faktor shtetformues dhe partner të barabartë në proceset vendimmarrëse.
Në fund, ai vlerësoi se rikonfigurimi i Qeverisë përfaqëson konsolidimin e plotë të përfaqësimit të VLEN-it në ekzekutiv, duke shtuar se përgjegjësitë që u janë besuar shqiptarëve tashmë do të ushtrohen nga përfaqësues me legjitimitet të qartë politik dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë para qytetarëve. Sipas tij, një VLEN i konsoliduar në Qeveri do të thotë më shumë unitet në vendimmarrje, efikasitet në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe përgjegjësi në realizimin e zotimeve ndaj qytetarëve.



