Kontrata për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë do të nënshkruhet të hënën

Kontrata për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë do të nënshkruhet të hënën, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

“Nëse flasim për infrastrukturën rrugore, brenda disa muajsh do të jenë në ndërtim gjashtë segmente autostradash. Të hënën do të nënshkruajmë kontratën për ndërtimin e autostradës Bllacë – Shkup, një projekt që qytetarët e presin prej dekadash dhe që iu dha një kompanie nga Maqedonia. Shumë shpejt do të përfundojë edhe procedura për segmentin Bukojçan – Kërçovë, ndërsa në këtë kohë vitin e ardhshëm autostrada Kërçovë – Ohër pritet të jetë në përdorim. Po ashtu, vitin e ardhshëm në këtë periudhë pres që 10 kilometrat e parë të autostradës pranë Prilepit të hapen për qarkullim në të dy drejtimet, ndërsa ndërtimi i autostradës Tetovë – Gostivar – Bukojçan të jetë në zhvillim të plotë”, deklaroi Mickoski.

Punimet do të realizohen nga një konsorcium i udhëhequr nga kompania ndërtimore, Granit.

Autostrada Shkup – Bllacë është një arterie e rëndësishme rrugore që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovo dhe Malin e Zi. Ndërtimi i saj pritet të mundësojë transport më efikas dhe më të sigurt, të përmirësojë lidhjet me vendet fqinje dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti dhe investime.

Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë kishte nisur edhe në vitin 2020. Projekti ka një gjatësi totale prej vetëm 12 kilometrash.

Për të përshpejtuar ndërtimin, ai u nda në dy segmente: njëri nga pika kufitare e Bllacës deri te nyja e Bllacës, ndërsa tjetri nga nyja pranë aeroportit sportiv “Stenkovec” deri në fshatin Bllacë.

Megjithatë, për gjashtë vjet u ndërtuan vetëm dy kilometra, të cilët nuk u vunë në funksion.

Nga ana tjetër, Kosova ndërtoi pjesën e saj të autostradës Autostrada Arben Xhaferi – nga Prishtina deri te pika kufitare Pika Kufitare Bllacë – me gjatësi prej 65 kilometrash brenda gjashtë vjetësh. Ajo është në funksion prej shtatë vitesh.

Në muajin qershor u vendos që faza e dytë e autostradës Shkup – Bllacë të ndërtohet nga kompania “Granit”, ndërsa të fillojnë në muajin qershor ose korrik të këtij viti.

Pjesa e dhjetë kilometrave të ardhshëm në autostradën Shkup – Bllacë pritej të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2022, kështu kishte premtuar drejtori i atëhershëm i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi.

Pastaj nga qeveria e re VMRO-VLEN u paralajmërua se punimet për autostradën Shkup-Bllacë do të nisin në fund të dhjetorit të vitit 2025, megjithatë kjo nuk ndodhi. Punimet nuk kanë nisur, jo për shkak kushteve klimatike, por siç sqarojnë nga kabineti i zëvendësministres Kaltrina Zekolli – Shaqiri, arsyet e vonesës janë procedurat burokratike të institucionit financiar dhe periudhës së festave të fundvitit.

Ministria i Transportit, Aleksandar Nikollovski, më 13 qershor sqaroi që punimet në terren do të fillojnë posa të kryhen procedurat administrative, ndërsa u premtua se punimet do të përfundojnë për tre vjet e gjysmë, ndërsa u theksua që autostrada do të ketë pesë tunele, dy galeria dhe 12 ura.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button