VLEN: Jemi partia e parë te shqiptarët!

VLEN ka publikuar rezultatet e një sondazhi të realizuar nga Instituti për Hulumtim Stratum R&D, sipas të cilit kjo parti renditet e para te elektorati shqiptar.
Sipas komunikatës, në pyetjen se për cilën parti do të votonin qytetarët nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, 34 për qind janë deklaruar për VLEN-in, ndërsa 30 për qind për BDI-në.
“Ky është sondazhi i dytë brenda dy muajve që e nxjerr VLEN-in para BDI-së. Rezultatet e këtij sondazhi janë tregues i qartë se qytetarët po e ndajnë politikën e rezultateve nga politika e propagandës.
Dy vite punë konkrete kanë mjaftuar për të dëshmuar se shqiptarët nuk mashtrohen më nga retorika boshe dhe se mbështetja fitohet me vepra, jo me fjalë.
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Ligji për Lojërat e Fatit, Ligji për Medresenë, Ligji për Jurisprudencën dhe Ligji për Arsimin e Lartë; mbi 40 provime profesionale në gjuhën shqipe; One Stop Shop në pikat kufitare me Kosovën dhe Shqipërinë; 306 projekte për komunat shqiptare; mbi 2.500 biznese të reja, mijëra punësime dhe avancime; fillimi i ndërtimit të Kampusit të Universitetit ‘Nënë Tereza’; investimi prej 20 milionë eurosh për fazën e tretë të Sheshit ‘Skënderbeu’; rikonstruktimi i Spitalit të Tetovës me 74 milionë euro; ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë dhe i Korridorit 8; rritja e pagave dhe pensioneve janë fakte që nuk mund të fshihen me konferenca për shtyp, dezinformata apo propagandë.
VLEN falënderon çdo qytetar për besimin e dhënë”, thuhet në komunikatën e partisë.



