VLEN: Edhe një premtim i përmbushur, gjithsej 600 specializantë në shëndetësinë publike

Përfaqësuesja e VLEN-it, Kaltrina Beqiri, në një konferencë për media deklaroi se një nga prioritetet kryesore të koalicionit gjatë 24 muajve të qeverisjes ka qenë përmirësimi i jetës së qytetarëve, duke veçuar si një ndër arritjet kryesore reformat në sektorin e shëndetësisë.
Beqiri theksoi se VLEN kishte premtuar punësimin e 600 specializantëve privatë në shëndetësinë publike dhe se ky zotim po realizohet, pasi grupi i parë prej 300 specializantësh tashmë është punësuar, ndërsa Qeveria ka miratuar edhe vendimin për punësimin e grupit të dytë prej 300 mjekësh.
Ajo bëri të ditur se procesi për punësimin e grupit të dytë është në vijim dhe synohet të përfundojë deri në fund të këtij viti.
Sipas Beqirit, ky vendim u krijon mundësi 300 mjekëve të rinj, të cilët e kanë financuar vetë specializimin e tyre, të bëhen pjesë e sistemit publik shëndetësor dhe ta ndërtojnë karrierën në vend.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të mbajtur mjekët e rinj në vend dhe për të forcuar sistemin tonë shëndetësor”, tha ajo.
Beqiri shtoi se spitalet që prej vitesh përballen me mungesë specialistësh do të përforcohen me kuadrin e nevojshëm, duke theksuar se përparësi do t’u jepet spitaleve të përgjithshme dhe klinike jashtë Shkupit, si dhe specializimeve ku mungesa e mjekëve është më e theksuar.
Ajo veçoi se ky proces është me rëndësi të veçantë për qytetarët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe qyteteve të tjera, të cilët, sipas saj, nuk duhet të detyrohen të udhëtojnë drejt Shkupit për të marrë shërbime shëndetësore që mund t’i marrin pranë vendbanimit të tyre.
Në konferencë, Beqiri theksoi se investimet në shëndetësi nuk kufizohen vetëm në ndërtimin e objekteve dhe pajisjen e tyre, por edhe në fuqizimin e burimeve njerëzore.
Ajo përmendi investimin prej 74 milionë eurosh në Spitalin Klinik të Tetovës dhe hapat për ndërtimin e spitalit të ri në Kërçovë, duke nënvizuar se paralelisht po investohet edhe te mjekët që kujdesen për shëndetin e qytetarëve.
Në përfundim, Beqiri ritheksoi se VLEN po realizon premtimin për punësimin e 600 specializantëve privatë, duke vlerësuar se kjo do të forcojë spitalet publike dhe do t’u ofrojë qytetarëve shërbime shëndetësore më cilësore dhe më afër vendbanimit të tyre.



