VLEN: A po e blen Artan Grubi lirinë me sekretet e BDI-së?

Partia VLEN ka reaguar lidhur me zhvillimet në rastin “Lotaria”, duke kërkuar nga Prokuroria sqarime për ecurinë e procedurës ndaj ish-zëvendëskryeministrit dhe funksionarit të BDI-së, Artan Grubi.

Në komunikatën e saj, VLEN thekson se kanë kaluar gati gjashtë muaj nga caktimi i masës së arrestit shtëpiak ndaj Grubit, ndërsa, sipas partisë, ende nuk është ngritur aktakuzë.

“Po bëhen gati gjashtë muaj nga caktimi i arrestit shtëpiak për kutinë e zezë të BDI-së, Artan Grubin, në rastin ‘Lotaria’, ndërsa nga aktakuza ende s’ka nam e nishan. Më 22 gusht skadon afati maksimal i kësaj mase, kurse Prokuroria vazhdon me hapa breshke”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Partia ngre dyshime për arsyet e zvarritjes së procedurës, duke përdorur edhe tone ironike ndaj Grubit.

“Mos vallë Artan Grubi e ka hapur gojën, ka kënduar si bilbil dhe për këtë arsye po zvarritet e gjithë çështja?”, deklaron VLEN.

VLEN kërkon gjithashtu informacion lidhur me rastin për të cilin Grubi ishte përfshirë në listën e sanksioneve amerikane.

“Ndërkohë, pluhur ka zënë edhe dosja për të cilën Grubi përfundoi në listën e zezë amerikane dhe opinioni me të drejtë pyet se ku ka mbërritur kjo çështje”, thuhet në komunikatë.

Sipas VLEN-it, autoritetet amerikane e kishin sanksionuar Grubin për korrupsion të nivelit të lartë dhe partia rikthen në vëmendje edhe pretendimet lidhur me rastin e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov.

“Partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e futi Grubin në listën e zezë për korrupsion të nivelit të lartë. Ai dhe gjykatësi Enver Bexheti pranuan ryshfet për ta liruar nga burgu Sasho Mijallkovin”, pretendon VLEN.

Në vazhdim, partia e paraqet Grubin si një figurë kyçe për të kuptuar mënyrën e funksionimit të BDI-së gjatë periudhës së saj në pushtet.

“Artan Grubi nuk është dosido ish-funksionar. Ai është kutia e zezë e BDI-së. E di kush i tërhiqte pejtë, kush i ndante pazaret dhe në cilët xhepa përfundonin paratë e kumarit”, thuhet në reagim.

Në fund, VLEN i kërkon Prokurorisë të dalë publikisht me sqarime për statusin e hetimeve.

“Për t’ia hequr sikletin Ali Ahmetit dhe për t’i dhënë opinionit një pasqyrë të qartë, VLEN kërkon nga Prokuroria të mos luajë kukafshehta me drejtësinë, por të dalë e të tregojë pse ende nuk ka aktakuzë në rastin ‘Lotaria’, ku kanë ngecur procedurat dhe çfarë ka ndërmarrë pas konstatimeve të autoriteteve amerikane”, përfundon komunikata.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button