(VIDEO) Rebelët Houthi sulmojnë me raketa Tel Avivin, 16 të plagosur
Dy ditë pas bombardimit të rebelëve shiitë Houthi, Izraeli tha sot se një raketë e lëshuar nga Jemeni kishte goditur Tel Avivin, duke plagosur 16 persona.
Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, Houthi-t kanë nisur disa sulme kundër Izraelit, duke pretenduar se po veprojnë në solidaritet me palestinezët.
“Pasi u dëgjuan sirenat në Izraelin qendror, u zbulua një raketë e lëshuar nga Jemeni dhe u bënë përpjekje për ta kapur atë, por pa sukses”, tha ushtria izraelite në Telegram.
Pas sulmit, 16 persona janë plagosur lehtë nga xhamat e thyer, mes tyre një vajzë 3-vjeçare.
Të enjten, Izraeli bombardoi portet Houthi dhe infrastrukturën energjetike në Jemen, duke vrarë nëntë persona, thanë rebelët.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi Houthit, duke theksuar se “kushdo që dëmton Izraelin do të paguajë një çmim të rëndë”.
Rebelët, nga ana e tyre, morën përgjegjësinë për gjuajtjen e dy raketave dhe një dron kundër “objektivave ushtarake izraelite” në Jaffa.
Shumica e raketave të lëshuara nga Houthi kundër Izraelit janë kapur ose kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Por në korrik një shtetas izraelit u vra në një sulm me dron në Tel Aviv. Izraeli më pas u përgjigj duke nisur sulme kundër portit të Hodeidah, duke vrarë gjashtë persona dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Ndërkohë, Houthit, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit, sulmojnë rregullisht anijet që ata besojnë se janë të lidhura me Izraelin, SHBA-në ose Britaninë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.